Llapi siguron finalen e Kupës së Kosovës, Arianit Hasani vendimtar me dy gola
Llapi po kalon një formë të shkëlqyer! Pas tri fitoreve rresht në Superligën e Kosovës, skuadra nga Podujeva e ka vazhduar serinë pozitive edhe në Kupën e Kosovës, duke u bërë finalisti i parë i këtij edicioni.
Të mërkurën, Llapi triumfoi edhe në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales kundër Drenicës me rezultatin 2:0, njëjtë si në ndeshjen e parë. Kësaj here, sfida u zhvillua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Protagonisti kryesor i takimit ishte Arianit Hasani, i cili shkëlqeu me dy gola. Ai realizoi për 1:0 në minutën e 66-të, pas një aksioni të bukur dhe asistimi të saktë nga Elvir Gashijani. Golin e dytë e shënoi pas një goditjeje të fuqishme nga distanca, të cilën ia shërbeu Ardit Tahiri – një supergol që vulosi fitoren dhe finalen për Llapin.
Impresionuese është edhe statistika: Llapi është skuadra e vetme që ka arritur në finale pa pësuar asnjë gol në të gjitha fazat e Kupës së Kosovës.
Rrugëtimi i tyre nisi me fitoren 4:0 ndaj Flamurtarit në 1/16 e finales, vijoi me triumfin 2:0 ndaj Vushtrrisë në 1/8 e finales, e pastaj me fitore minimale 1:0 kundër Malishevës në çerekfinale. Në gjysmëfinale, Drenicën e mposhtën në të dyja ndeshjet me rezultat të pastër 2:0.
Tani, Llapi pret të mësojë kundërshtarin në finale, që do të jetë fituesi i përballjes ndërmjet Prishtinës dhe Dritës. Prishtina ka epërsi 1:0 nga ndeshja e parë në Gjilan, ndërsa ndeshja e kthimit luhet sonte në “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:00.
