Përfundon xhiro e 30-të në Albi Mall Superligë: Drita edhe më afër titullit, luftë e madhe për ikje nga barazhi

Ka përfunduar xhiro e 30-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, ku edhe këtë javë nuk munguan rezultatet befasuese.
Lideri Drita mori një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Suharekës me rezultat 2-1, duke i dhënë këtyre të fundit një goditje të fortë në luftën për mbijetesë.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani, u ndal me barazim 3-3 në Drenas nga Feronikeli ‘74 që tashmë është përshëndetur me elitën e futbollit kosovar.
Malisheva u mposht në shtëpi nga Llapi me rezultat 3-1 me djelmoshat e Tahir Batatinës që ishin tejet të disponuar për lojë.
Prishtina e Arsim Thaçit luajti baras pa gola në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ ndaj Ferizajt që po tregohet arrë e fortë këtë edicion.

Me barazim përfundoi edhe dueli mes Gjilanit dhe Dukagjinit, me këta të parët që barazuan krejt në fund të takimit me Armend Thaçin.
Drita po vazhdon me hapa të sigurt drejt tiullit me 66 pikë të grumbulluara, ndërsa pas tyre renditet Ballkani me 54 sosh.
Luftë e madhe po zhvillohet në pjesën e poshtme të tabelës, ku shumë ekipe po tentojnë t’i shmangen barazhit.
Dukagjini gjendet në pozitën e barazhit apo në të shtatën me 37 sosh, por ata i ndajnë vetëm dy pikë me ekipet e tjera si Gjilani, Llapi dhe Prishtina që kanë nga 39 pikë secila.