Real Madrid eliminohet, Arsenali pas 16 vjetësh në gjysmëfinale të Championsit

Shpresat e tifozëve madrilenë për një tjetër përmbysje historike u shuan mbrëmjen e së mërkurës në “Santiago Bernabeu”. Real Madridi nuk ia doli të përmbysë humbjen 3:0 të pësuar në ndeshjen e parë ndaj Arsenalit, duke u mundur edhe në shtëpi me rezultatin 2:1 dhe duke u eliminuar nga Liga e Kampionëve me rezultatin e përgjithshëm 5:1.
Kampionët në fuqi të Evropës dorëzojnë kurorën, ndërsa Arsenali shkruan historinë pas 16 vjetësh ndodhet sërish në gjysmëfinale të Champions League, ku e pret një tjetër përballje e madhe – ndaj Paris Saint-Germain.
Ndeshja nisi me ritëm dhe raste të shumta. Në minutën e 13-të, Arsenali pati mundësinë ideale për të kaluar në epërsi, por Bukayo Saka dështoi nga pika e bardhë. Ai provoi një “panenka” të lehtë, që u lexua mirë nga Courtois.
Disa minuta më vonë, Real Madridi fitoi një penallti pas një ndërhyrjeje ndaj Mbappes, por pas një rishikimi të gjatë nga VAR, vendimi u anulua dhe ndeshja vazhdoi pa gola.
Pjesa e parë përfundoi 0:0, por emocioneve nuk u mungoi asgjë në pjesën e dytë.
Në minutën e 65-të, Saka rikuperoi gabimin e penalltisë dhe realizoi një gol të bukur për t’i dhënë avantazhin Arsenalit.
Reagimi i Realit ishte i menjëhershëm. Vetëm dy minuta më vonë, Vinicius Jr përfitoi nga një gabim i mbrojtjes së Arsenalit dhe barazoi rezultatin në 1:1, duke rikthyer shpresat te tifozët vendas.
Por, në fund, ishte Arsenali që vulosi ndeshjen. Gabriel Martinelli shënoi në minutën e tretë të kohës shtesë, duke e mbyllur takimin 2:1 për “topçinjtë” dhe duke siguruar kualifikimin e merituar.