April 19, 2025

Interi siguron gjysmëfinalen, barazon në shtëpi ndaj Bayern Munich

Interi është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve pas një barazimi dramatik 2-2 ndaj Bayern Munich në “San Siro”, duke përfituar nga fitorja 1-2 në ndeshjen e parë në “Allianz Arena”.

Pjesa e parë përfundoi pa gola, me të dy skuadrat që i ruajtën forcat për pjesën e dytë. Emocionet nisën menjëherë pas pushimit, ku u shënuan tre gola brenda pak minutash.

Në minutën e 52-të, Harry Kane kaloi Bayern-in në avantazh pas një aksioni të gjatë të skuadrës gjermane. Sulmuesi anglez goditi saktë dhe nuk i la asnjë shans portierit Sommer.

Vetëm pesë minuta më vonë, Inter barazoi me Lautaro Martinez, i cili u gjend në vendin dhe momentin e duhur për të përfituar nga një rrëmujë në zonë pas një goditje këndi.

Në minutën e 60-të, Benjamin Pavard përmbysi rezultatin në favor të zikaltërve. Ai shënoi me kokë pas një krosimi të bukur nga Calhanoglu, duke i dhënë epërsinë Interit dhe duke vulosur praktikisht kualifikimin.

Bayern nuk u dorëzua dhe në minutën e 75-të barazoi me Eric Dier, i cili u la i pambuluar nga mbrojtja e Interit pas një krosimi nga Gnabry dhe shënoi me kokë për 2-2.

Pavarësisht përpjekjeve të fundit nga gjermanët, rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Festa ishte e gjitha për Interin në “San Siro”, që tani e pret Barcelonën në gjysmëfinale. Ndërkohë, për Bayernin kjo ishte fundi i rrugëtimit në Ligën e Kampionëve për këtë sezon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *