Legjenda Ajet Shosholli feston 80-vjetorin – Agim Ademi me dedikim për të
Në një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, figura e njohur e futbollit kosovar, Ajet Shosholli, ka festuar sot 80-vjetorin e lindjes, në një ngjarje të veçantë të organizuar nga miqtë, familjarët, ish-futbollistët dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt.
Një nga të pranishmit në këtë festë ishte edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka ndarë një dedikim të veçantë për legjendën e futbollit kosovar në rrjetet sociale.
“Sot pata nderin të jem pjesë e një feste të veçantë, të organizuar nga miqtë, familjarët, ish-futbollistët dhe bashkëpunëtorët e trajnerit të mirënjohur Ajet Shoshollit. Baca Ajet është një udhërrëfyes për secilin prej nesh, i cili për dekada me radhë ka kontribuuar në zhvillimin e futbollit dhe në formimin e brezave të rinj të futbollistëve. Me karakter të palëkundur dhe vlera të larta humane e sportive, Baca Ajet sot mbushi plot 80 vjet jetë – të mbushura me dashuri e përkushtim për familjen e futbollin. Rrofsh gjatë Legjendë – shembulli yt frymëzon brezat e rinj!”, ka shkruar Ademi.
Ajet Shosholli është një nga figurat më të respektuara të futbollit në Kosovë, i njohur për kontributin e tij si futbollist, trajner dhe edukator i shumë brezave të rinj të talentuar. Përkushtimi i tij shumëvjeçar ndaj sportit është një trashëgimi që vazhdon të jetojë përmes suksesit të atyre që i ka udhëhequr dhe frymëzuar ndër vite.

