Llapi dhe Ferizaj me fitore të vlefshme në xhiron e 29-të të Superligës
Dy skuadrat që po kërkojnë formën dhe stabilitetin në këtë fund të sezonit, Llapi dhe Ferizaj, kanë shënuar fitore të rëndësishme në xhiron e 29-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.
Llapi ka shënuar fitoren e tretë radhazi në të gjitha garat, duke mposhtur në shtëpi Feronikelin 74, me rezultat minimal 1:0. Golin e vetëm në këtë përballje e realizoi sulmuesi Ardit Tahiri nga penalltia në fundin e pjesës së parë, saktësisht në minutën e 45-të.
Me këtë fitore, skuadra nga Podujeva largohet nga zona e rrezikshme dhe tashmë renditet në pozitën e shtatë me 36 pikë – aq sa ka edhe Dukagjini që është një pozitë më poshtë.
Ndërkohë, për Feronikelin 74 rënia nga elita është e pashmangshme.
Llapi tashmë do të përqendrohet në përballjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ndaj Drenicës, e cila do të luhet të mërkurën e ardhshme në Skenderaj. Ndeshjen e parë llapjanët e kishin fituar 2:0 në Podujevë.
Edhe Ferizaj ka vazhduar formën pozitive, duke shënuar fitoren e dytë radhazi në kampionat. Këtë herë, skuadra e drejtuar nga trajneri Arsim Abazi e mposhti Malishevën, me rezultat 1:0 në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin me bar sintetik në Ferizaj.
Golin vendimtar e shënoi Edon Sadriu në minutën e 39-të, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë të mëdha në garën për vendet e para.
Pas kësaj fitoreje, Ferizaj ngjitet në pozitën e katërt në tabelë me 41 pikë, vetëm gjashtë më pak se Malisheva që mban vendin e tretë – pozitë që siguron pjesëmarrje në garat evropiane.
