Llapi përmbys Gjilanin në udhëtim dhe i ikë zonës së rrezikshme!
Llapi ka marrë një fitore jashtëzakonisht të rëndësishme në përpjekje për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit kosovar.
Në një ndeshje dramatike të zhvilluar të dielën në stadiumin me bari sintetik, skuadra nga Podujeva arriti të përmbysë Gjilanin me rezultat 3:2, në kuadër të xhiros së 28-të të Albi Mall Superligës.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, por emocionet shpërthyen në fraksionin e dytë.
Gjilani kaloi në epërsi në minutën e 63-të me golin e Edi Bashës, por reagimi i mysafirëve ishte i menjëhershëm. Vetëm nëntë minuta më vonë, Ardit Tahiri e barazoi rezultatin në 1:1.
Arianit Hasani i dha epërsinë Llapit në minutën e 78-të, duke ndezur shpresat për një fitore të madhe.
Gjilani nuk u dorëzua dhe barazoi me golin e Armend Thaqit në minutën e 86-të.
Por momenti vendimtar erdhi në minutat shtesë – Llapi fitoi një penallti dhe nga pika e bardhë, Ardit Tahiri u tregua i saktë për të vulosur fitoren dramatike 3:2.
Me këtë fitore, Llapi ngjitet në vendin e tetë me 33 pikë, një më shumë se Suhareka që aktualisht është në pozitën e parafundit.
Gjilani, ndërkohë, mbetet në vendin e pestë me 38 pikë.
