Ballkani triumfon në derbin e Suharekës, Gjilani fiton falë një autogoli

Dy ndeshjet e sotme të javës së 27-të në Albi Mall Superligën e Kosovës kanë dhuruar emocione dhe fitore të skuadrave vendase. Derbi lokal mes Ballkanit dhe Suharekës u mbyll me fitoren bindëse të kampionëve në fuqi, 3:1, duke treguar se nuk kanë ndërmend të dorëzohen në garën për titull.
Almir Kryeziu zhbllokoi rezultatin në minutën e 31-të, ndërsa Sunday Adetunji dhe Marsel Ismajlgeci shtuan nga një gol secili për epërsinë 3:0. Endrit Krasniqi shënoi golin e nderit për Suharekën në minutën e 77-të.
Me këtë fitore, Ballkani shkon në 47 pikë, duke qëndruar në pozitën e dytë, por ende me 13 pikë më pak se lideri Drita. Suhareka ndërkohë rrezikon, pasi ndodhet në vendin e shtatë me 32 pikë, vetëm dy më shumë se Llapi që është në zonën e rënies direkte.
Në sfidën tjetër të ditës, Gjilani siguroi një fitore të rëndësishme në shtëpi ndaj Ferizajt, me vetëm një gol – dhe ai erdhi si pasojë e një autogoli të Gligorovit në minutën e 81-të, pas harkimit të Armend Thaçit.
Kjo fitore e çon Gjilanin në vendin e katërt me 38 pikë, duke iu afruar zonës evropiane, ndërsa Ferizaj mbetet në vendin e gjashtë me 35 pikë, ende në një situatë të pasigurt.