OP/ED Flamuri i Kosovës valon në Beograd: Kur futbolli shënon fitore përtej sportit

Ngritja e flamurit të Kosovës në Beograd nuk është thjesht një akt ceremonial. Është një moment i cili bart peshë të jashtëzakonshme, jo vetëm për futbollin e Kosovës, por edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit tonë dhe simbolikën e një rajoni që shpesh mbetet peng i së kaluarës. Ky flamur u ngrit jo në një takim politik, as në një forum diplomatik, por në Kongresin e UEFA-s – organizmin më të lartë të futbollit evropian, ku sporti tregoi edhe një herë se është një hap përpara politikës.
Për vite të tëra (që nga shpallja e pavarësisë), Beogradi ka qenë një arenë ku simbolet e Kosovës janë trajtuar me refuzim të ashpër dhe me armiqësi. Por futbolli, si një gjuhë universale që bashkon kombet dhe komunitetet, arriti të thyejë një tjetër tabu.
Në Kongresin e UEFA-s, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, shpalosi flamurin e Kosovës në kryeqytetin serb, një dëshmi e pranimit dhe integrimit të pandalshëm të Kosovës në çdo arenë të sportit.
Ky moment duhet të shihet përtej kornizës sportive. Ai konfirmon diçka që Kosova e ka dëshmuar tashmë me pranimin e saj në FIFA dhe UEFA: sporti është një nga mjetet më të fuqishme për afirmimin e identitetit dhe përfaqësimit të saj ndërkombëtar.
Ngritja e flamurit nuk ndryshon realitetin politik brenda natës, por është hap i rëndësishëm drejt normalizimit (qoftë edhe me detyrim nga partnerët ndërkombëtar) që për shumë kohë është dukur i largët.
Kjo ngjarje shtron edhe një pyetje të rëndësishme për shoqërinë kosovare: a jemi ne duke përdorur fuqinë e sportit për të ndërtuar ura më të qëndrueshme? Sporti mund të hapë rrugën për atë që politika shpesh e ka të pamundur – bashkëjetesën dhe pranimin.
Ky është një mësim që e kemi parë në të kaluarën, nga transformimi i marrëdhënieve mes kombeve përmes garave sportive, deri te ndikimi i futbollit në procese pajtimi të shoqërive të ndara.
Agim Ademi dhe Federata e Futbollit të Kosovës meritojnë mirënjohje për këtë moment historik. Në një fushë ku politika shpesh dështon, sporti po tregon edhe një herë se është një forcë e pamohueshme për ndryshim.
Kosova tashmë ka treguar se mund të garojë me të mëdhenjtë në fushën e blertë, por ndoshta arritja më e madhe është pikërisht kjo: pranimi i saj si një realitet i pakthyeshëm në arenën ndërkombëtare, e madje edhe në kryeqytetin e Serbisë.