Lëndimi i Haaland është më serioz se sa dukej në fillim, norvegjezi mund t’i mungojë gjatë Cityt

Sulmuesi norvegjez Erling Haaland pësoi një dëmtim gjatë ndeshjes çerekfinale të FA Cup kundër Bournemouth, gjë që e detyroi atë të largohej nga Vitality Stadium me paterica.
Haaland u largua nga loja gjatë pjesës së dytë, pak pasi shënoi golin e barazimit dhe për të gjithë ishte “faji” i Lewis Cook, i cili ra në kyçin e këmbës dhe e lëndoi atë.
Pas hyrjes së ekipit mjekësor u sinjalizua se ai nuk mund të vazhdonte ndeshjen, kështu që në vend të tij në lojë hyri Omar Marmoush, i cili tre minuta më vonë shënoi golin e fitores dhe i çoi Citizens në gjysmëfinale, ku do të përballen me Nottingham Forest.
“Nuk di ende asgjë, duhet të shohim”, ka qenë reagimi i parë i menaxherit të Cityt, Pep Guardiola pas lëndimit të sulmuesit norvegjez.
E se çështja është e rëndë dëshmohet nga një video që po qarkullon në rrjetet sociale, e cila “futi” alarmet në ekipin e Qytetarëve, teksa Haaland u largua nga stadiumi Vitality me ndihmën e patericave.
Nëse ky është një dëmtim serioz do të bëhet më e qartë së shpejti.