Prishtina i jep fund serisë pa fitore

Skuadra e Prishtinës është kthyer te fitorja pas një kohe të gjatë. Fitorja e fundit e Prishtinës në Superligën e Kosovës në futboll ishte më 1 dhjetor të vitit të kaluar ndaj Dukagjinit. Prishtina të premten mbrëma e mposhti në shtëpi Feronikelin 74 me rezultatin 2:1.
Kjo ndeshje i takoi javës së 26-të të elitës së futbollit kosovar. Mysafirët kaluan të parët në epërsi me golin që e shënoi Suhejlj Muharem në minutën e 37-të. Vendësit shifrat i barazuan në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.
Për 1:1 shënoi Leotrim Kryeziu. Golin e fitores për Prishtinën e shënoi Ron Raqi në minutën e 92-të. Prishtina ka 35 pikë në vendin e katërt. Feronikeli 74 mbetet në pozitën e fundit me 14 pikë.