FIFA ua “prenë krahët” agjentëve të futbollistëve

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) me rregulloren e re të futbollit do të përpiqet të sqarojë çështjet “e turbullta” në transferimet e lojtarëve, duke kufizuar shumat që mund të marrin agjentët e futbollit.
Rregullat e reja, të cilat do të përfshijnë një provim për agjentët, si dhe publikimin e detyrueshëm të listës së klientëve të tyre, do të hyjnë në fuqi të hënën.
“Rregulloret e reja prezantojnë standardet bazë për agjentët e futbollit dhe klientët e tyre, duke përfshirë një sistem të detyrueshëm licencimi, një ndalim të përfaqësimit të shumëfishtë për të shmangur konfliktet e interesit dhe një kufi në komisionet e agjentëve, me qëllim mbrojtjen e integritetit të sistemit të transfertave dhe marrjen e transparencës më të madhe financiare”, thotë FIFA.
Në dhjetor, FIFA raportoi se agjentët e futbollit fituan 623 milionë dollarë, një rritje prej 24 për qind nga viti 2021.
Si shembull i rolit të tepërt të agjentëve është ai i të ndjerit Mino Raiola, i cili fitoi 27 milionë euro nga Juventusi për transferimin për 105 milionë euro të Paul Pogbas te Manchester United në vitin 2016.
Raiola mori një shumë shtesë nga lojtari dhe klubi i ri. Komisioni i agjentëve do të kufizohet në 3 për qind kur ata përfaqësojnë një lojtar dhe 6 për qind nëse ka një përfaqësim të përbashkët të futbollistit dhe klubit të tij të ardhshëm.
Fitimet e agjentëve do të kufizohen në 10 përqind nëse ata përfaqësojnë klubin shitës. FIFA gjithashtu do të bëjë publike listat e klientëve, kohëzgjatjen e kontratave, si dhe detajet e të gjitha transaksioneve.