Drita vazhdon serinë pozitive, mposht Ferizajn

Drita ka siguruar një tjetër fitore të rëndësishme në Superligën e Kosovës, duke triumfuar 2:0 ndaj Ferizajt në ndeshjen e xhiros së 22-të, të zhvilluar të dielën pasdite në Gjilan.
Skuadra gjilanase konfirmoi edhe një herë formën e saj të shkëlqyer, duke regjistruar ndeshjen e shtatë radhazi pa humbje në të gjitha garat. Albert Dabiqaj ishte ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 57-të, ndërsa Veton Tusha vulosi fitoren në minutën e 70-të.
Me këtë triumf, Drita forcon pozitat e saj si lidere e kampionatit me 50 pikë, duke e mbajtur një diferencë të konsiderueshme ndaj ndjekësit më të afërt, Ballkanit, që ka grumbulluar 39 pikë. Në anën tjetër, Ferizaj pëson disfatën e dytë radhazi dhe mbetet në pozitën e shtatë me 26 pikë.