Nagelsmann rinovon: Nuk e dija sa zemra prek dhe emocionon Kombëtarja

Julian Nagelsmann ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës si trajner i kombëtares gjermane deri në vitin 2028, duke marrë përgjegjësinë për drejtimin e ekipit edhe në dy turne madhore ndërkombëtare: Kupa e Botës 2026, dhe Kampionati Europian 2028.
Pas rinovimit, Nagelsmann ndau emocionet e tij lidhur me këtë përgjegjësi të madhe dhe rëndësinë që kombëtarja ka për popullin gjerman. Ai u shpreh se kur mori drejtimin në shtator të vitit 2023, nuk e kishte imagjinuar se do të qëndronte kaq gjatë:
“Kur mbërrita në DFB në shtator 2023, nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se do të vazhdoja si trajner i kombëtares edhe pas Europianit 2024 në shtëpinë tonë. Synimi ynë kryesor ishte të arrinim sukses në atë turne”, tha ai.
Nagelsmann theksoi se përfshirja emocionale e tifozëve dhe popullit gjerman ka qenë një motivim i jashtëzakonshëm për të:
“Nuk e kisha kuptuar plotësisht se çfarë do të thotë kombëtarja për popullin gjerman. Sa zemra prek dhe emocionon. Reagimet që marrim çdo ditë, jo vetëm unë, por të gjithë ne, tregojnë se rruga jonë është e duhura”, shtoi ai.
Trajneri i ri-konfirmuar u shpreh i vendosur të vazhdojë punën për të arritur sukses me ekipin, duke ndërtuar një projekt të përbashkët mes tifozëve, lojtarëve dhe stafit teknik:
“Rruga jonë e përbashkët ende nuk ka përfunduar. Duam të vazhdojmë të rritemi së bashku, të bashkojmë tifozët dhe skuadrën dhe të arrijmë suksese. Synimi ynë i përbashkët është të fitojmë trofe dhe të sjellim krenari për Gjermaninë”, tha Nagelsmann.