Ademi ngushëllon familjen e Mexhit Sylejman Hazirit

Ka ndërruar jetë një prej figurave më të mëdha të Zhegrës së Gjilanit, Mexhit Sylejman Haziri. Ai vdiq në moshën 84-vjeçare. Haziri për dekada të tëra i shërbeu komunitetit si mësimdhënës dhe drejtues i shkollës ‘Agim Ramadani’. Ai ishte një ndër pionierët e sportit në Zhegër, duke themeluar klubin e futbollit ‘Zhegra’ në vitin 1958 si dhe atë të hendbollit në vitin 1969. E për vdekjen e tij telegram ngushëllimi familjes Haziri i ka dërguar kreu i FFK-së, Agim Ademi.

Telegrami i Ademit:

Prishtinë, 22 janar, 2025

E nderuara Familje Haziri!

Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Mexhit Sylejman Haziri. Në këto momente të vështira, më lejoni që në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, t’ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.

Mexhit Haziri ishte një nga pionierët e sportit në Zhegër, duke themeluar KF “Zhegra” në vitin 1958, por edhe klubin e hendbollit në vitin 1969. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në zhvillimin e sportit dhe zbulimin e talenteve mbetet një trashëgimi e vlefshme për gjeneratat e ardhshme.

Ai po ashtu gjatë jetës së tij shërbeu me përkushtim si mësimdhënës i edukatës fizike por edhe si drejtor i shkollës “Agim Ramadani” në Zhegër, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në edukimin e brezave të tërë.

Mexhit Haziri do të kujtohet gjithmonë si një njeri i urtë, human e me vizion dhe si një mik i respektueshëm dhe një shembull për të gjithë.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *