Serie A rikthehet me supersfidën vendimtare

Kampionati i Napolit kryesues rinis nga “San Siro” kundër Interit, në kuadrin e javës së 16-të të Serie A (ora 20:45). Napolitanët janë +8 pikë nga Milani dhe nuk duan të humbasin terren apo entuziazëm. Synimi është të marrin fitoren e 12-të radhazi në kampionat dhe kapërcimin e dy nokauteve të fundit, mbërritur në miqësore.
Spalletti duhet të zgjidhë ende disa dyshime: në treshen e mesfushës, Politano është favorit ndaj Lozanos në të djathtë, ndërsa në mbrojtje Juan Jesus është përpara Rrahmanit si dhe Mario Rui ndaj Oliverës. Është e qartë se golashënuesi më i mirë Osimhen dhe Kvaratskhelia janë të paprekshëm. Mungon vetëm një lojtar në udhëtimin për në Milano. Gaetano nuk u stërvit për shkak të gastroenteritit dhe nuk ka udhëtuar me ekipin.
“Lojtarët e Kupës së Botës janë të gjithë mirë. Ndoshta ndonjëri është mirë dhe një tjetër jo aq, por të gjithë janë të gatshëm të luajnë këtë ndeshje të madhe”, – tha Luciano Spalletti. Nga ana tjetër, është një Inter që sigurisht ka më shumë vështirësi. Zikaltrit e rifillojnë nga vendi i pestë në renditje, -11 pikë nga kreu.
Dhe për ndeshjen e madhe me kryesuesit, Inzaghi është i detyruar të heqë dorë nga Brozovic, “feneri” i mesfushës së zikaltërve. Në pozicionin e tij do të luajë Calhanoglu, me spostimin e Mkhitaryan si mesfushor i majtë. Përpara janë tri fanella për dy: Lukaku udhëton drejt një rikthimi si titullar përkrah Dzekos, me aktivizimin e mundshëm gjatë lojës të argjentinasit Lautaro. Onana konfirmohet mes shtyllave.
“Më në fund, pas një kohe të gjatë kemi katër sulmues në dispozicion. Lukaku është rikthyer me shumë dëshirë dhe e kam parë mirë, ashtu si Lautaro. Edhe holandezët janë mjaft mirë, përveç de Vrij që pati një goditje në kokë. Dumfries po kthehet. Onana është i qetë”, – tha Simone Inzaghi.
Ja formacionet e mundshme:
INTER (3-5-2): Onana; Skriniar, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Lukaku, Dzeko.
NAPOLI (4-3-3): Meret; Di Lorenzo, Kim, Juan Jesus, Mario Rui; Anguissa, Lobotka, Zielinski; Politano, Osimhen, Kvaratskhelia.