Infantino: Çdo shtet duhet të ketë një stadium me emrin Pele

Shefi i FIFA-s, Gianni Infantino, ka udhëtuar drejt Brazilit për të nderuar legjendën, Pele. Futbollisti legjendar do të varroset të martën.
Presidenti i FIFA-s tha se do të nisë një iniciativë për të emëruar të paktën një stadium në çdo vend sipas mbretit të futbollit, i cili vdiq më 29 dhjetor në moshën 83-vjeçare në Sao Paulo pas një beteje të gjatë me kancerin.
“Ne do të nisim një iniciativë që të gjitha vendet në botë të kenë të paktën një stadium me emrin Pele, në mënyrë që të gjithë fëmijët të dinë se sa i rëndësishëm ishte ai për futbollin”, tha Infantino.
Mediat britanike kujtojnë se arkivoli me trupin e futbollistit legjendar u transferua më herët gjatë ditës së sotme nga spitali Albert Einstein në Sao Paulo, ku ai vdiq, në stadiumin Santos. Arkivoli me trupin e futbollistit të njohur është vendosur në qendër të fushës. Infantino ishte ndër të parët që i dha lamtumirën Peles.
“Ndjeva shumë emocione, trishtim, por edhe buzëqeshje, sepse Pele na dhuroi shumë buzëqeshje. Do të kërkojmë një minutë heshtje kudo në botë”, shtoi njeriu i parë i FIFA-s.
Të gjithë tifozët do të kenë mundësinë t’i thonë lamtumirë Peles, pasi hyrja në stadiumin e Santos do të lejohet pa ndërprerje deri të martën në orën 10.00 me orën lokale, kur kortezhi do të bëjë rrugën nëpër rrugët e Sao Paulos për në varrezat ku do të varroset. . .
Kortezhi do të kalojë edhe pranë shtëpisë ku jeton nëna 100-vjeçare e Peles dhe në varrim do të marrë pjesë vetëm familja e futbollistit legjendar.