FFK: Rasti i fundit aksidental na bashkon edhe më shumë

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) iu ka dalë në mbrojtje kapitenit Amir Rrahmani dhe lojtarëve të tjerë pas pretendimeve se janë ofenduar dhe sharë pas fitores ndaj Qipros, të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në videot amatore që kanë qarkulluar të mërkurën shihen disa momente nervozizmi të shprehura nga kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, me kreun e “Dardanëve”, Lulzim Berisha. Ka pretendime se Rrahmani dhe disa lojtarë janë ofenduar nga kreu i “Dardanëve”. Por udhëheqësi i tifozëve të Kosovës për KOHËN të mërkurën mohoi pretendimet se ka sharë apo ofenduar Rrahmanin dhe lojtarët e tjerë.

Udhëheqësi i “Dardanëve” doli edhe me një sqarim publik të mërkurën mbrëma duke kërkuar falje nëse Rrahmani dhe lojtarët e tjerë janë sharë apo ofenduar.

FFK-ja nëpërmjet një njoftimi të lëshuar për media të enjten ka konfirmuar se “është e informuar për rastin aksidental e të momentit që ka ndodhur pas ndeshjes së fundit”.

“Federata e ka përcjellë me shqetësim rastin në fjalë dhe në parim gjithnjë qëndron në anën e futbollistëve të ekipit kombëtar, duke shfaqur mbështetjen dhe duke kërkuar respekt për ta. Konsiderojmë që kërkimfalja që ka ndodhur ndaj kapitenit dhe futbollistëve shënon mbylljen e një rasti aksidental të momentit dhe shpresojmë se do të shërbejë si rast që do të lidhë edhe më fuqishëm ekipin dhe përkrahësit para sfidave të reja të Kombëtares sonë. Përtej kësaj Federata çmon shumë dhe shpreh falënderimin e vet për të gjithë tifozët dhe shikuesit që e përcjellin dhe e përkrahin ekipin kombëtar, por kërkon nga ta që të shfaqin respektin fillimisht për futbollistët e ekipit tonë kombëtar, mirëpo edhe për të gjithë akterët tjerë të ndeshjes, përfshirë edhe ekipin kundërshtar”, shkruan në komunikatën e publikuar në faqen zyrtare të FFK-së.

Shtëpia e futbollit e Kosovës ka kërkuar, po ashtu, nga lojtarët të shfaqin respekt për tifozët.

“Ne dhe futbollistët e ekipit kombëtar e kuptojmë saktë dhe drejt reagimin e tifozëve, por në të njëjtën kohë nuk do të lejojmë që reagimet të cenojnë respektin për asnjë prej anëtarëve të ekipit kombëtar. Në të njëjtën kohë, FFK-ja kërkon nga të gjithë anëtarët e saj, përfshirë edhe futbollistët e ekipit kombëtar, që të shfaqin respektin e duhur për të gjithë tifozët dhe shikuesit që vijnë për të përkrahur Kombëtaren pa kushtëzim, në numër maksimal sa lejon kapaciteti i stadiumit, sepse janë ata që i japin emocion lojës së futbollit. Ekipi kombëtar është i të gjithë Kosovës, prandaj ta duam dhe ta përkrahim secili duke dhënë kontributin nga këndi i vet”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Në fakt, edhe në të kaluarën ka pasur pakënaqësi nga lojtarët e po ashtu edhe nga tifozët. Pas humbjes muajin e kaluar nga Rumania, “Dardanët”, por edhe shikuesit e tjerë të pranishëm në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri” kanë vërshëllyer dhe kanë brohoritur “marre, marre e jashtë, jashtë” në drejtim të lojtarëve të Përfaqësueses së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *