Ademi: Futbolli për të gjithë pa dallim feje, etnie apo aftësie
Java e Grassroots ka vazhduar sot me një aktivitet të veçantë në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku fëmijët me aftësi të kufizuara ishin në qendër të vëmendjes. Si pjesë e programit të UEFA-s, këto aktivitete përqendrohen në përfshirjen e të gjitha kategorive të shoqërisë, duke u mbështetur në sloganin “Futbolli për të gjithë”.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në këtë aktivitet të rëndësishëm, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes dhe mundësive të barabarta në futboll. “Ishte një kënaqësi e madhe të isha sot në mesin e këtyre fëmijëve, të cilët tashmë janë pjesë aktive e aktiviteteve tona sportive. Me projekte të tilla kemi arritur të afrojmë njerëz nga të gjitha kategoritë pa dallim feje, etnie apo aftësie”, shkroi Ademi në Instagram.
Ai gjithashtu vuri në dukje se FFK-ja ka përmirësuar infrastrukturën sportive në të gjithë vendin, duke ndërtuar edhe një fushë të posaçme për fëmijët me aftësi të kufizuara, me qëllim që të gjithë të kenë qasje të barabartë në futboll.
Sipas Ademit java e Grassroots-it, që po shënohet me aktivitete në të gjitha regjionet e Kosovës, është një platformë nga ku kanë dalë talente të shquara si Amir Rrahmani, Edon Zhegrova dhe Vedat Muriqi e të cilët tashmë shërbejnë si frymëzim për çdo fëmijë që merr pjesë në këto aktivitete.
I pari i FFK-së vuri në pah se programi “Grassroots” do të vazhdojë të zhvillohet gjatë gjithë vitit me aktivitete që promovojnë gjithëpërfshirjen dhe integrimin në sport, duke u fokusuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për çdo fëmijë në Kosovë.
