Spanja, kampione e Evropës
Rezervisti Mikel Oyarzabal ka shënuar gol në minutën e 86-të për t’ia siguruar Spanjës titullin e kampionit të Evropës.Spanja në finale të “Euro 2024”, të dielën mbrëma në Berlin, fitoi 2:1 ndaj Anglisë.Oyarzabal në lojë hyri në minutën e 68-të në vend të Alvaro Moratas. Në minutën e 86-të pas pasimit të Marc Cucurellas, Oyarzabal goditi saktë për epërsinë 2:1 të Spanjës. Rezultati më pas nuk ndryshoi. Pak minuta më pas Dani Olmo ndali topin në vijën e portës për të ruajtur epërsinë e spanjollëve. Nico Williams kaloi në epërsi 1:0 Spanjën në minutën e 47-të. Rezervisti Cole Palmer barazoi në 1:1 në minutën e 73-të, ndërsa më pas Oyarzabal vendosi finalen.
Pjesa e dytë e ndeshjes finale ishte e jashtëzakonshme. Me të nisur pjesa e dytë spanjollët kaluan në epërsi. Më pas rrezikuan përmes Dani Olmos, Moratas e Williamsit, por pa gjetur rrugën drejt portës.Pas zëvendësimeve të bëra, Anglia u kthye në lojë dhe barazoi 1:1. Por sërish Spanja pati më shumë dhe e shënoi golin e fitores dhe festës së madhe.
Në pjesën e parë kishte më shumë taktizime. Spanjollët kishin më shumë topin, por pa krijuar raste të mira.Gjithsej Spanja i kishte 14 raste, ndërsa Anglia nëntë.Spanja ka fituar titullin e Evropës për herë të katërt, që është rekord. Gjermania mbetet me tre tituj. Ndërkohë Anglia mbetet në pritje të titullit të parë evropian. Ka vazhduar edhe pritja e anglezëve për trofeun e dytë të madh. Të parin dhe të vetmin e fituan në vitin 1966, kur u shpallën kampionë të botës.
Spanja ka shkëlqyer gjatë gjithë Evropianit dhe vlerësohej favorite e finales. Në grup, Spanja fitoi ndaj Kroacisë, Italisë e Shqipërisë. Në një të tetën e finales e kaloi Gjeorgjinë, duke e mposhtur 4:1. Në çerekfinale, Spanja fitoi 2:1 ndaj Gjermanisë me gol të minutës së 119-të. Ndërkohë spanjollët në gjysmëfinale e kaluan Francën, duke e mposhtur 2:1.
Para Evropianit në Gjermani, Spanja nuk është llogaritur në mesin e favoriteve kryesore. Por Luis de la Fuente formoi një ekip përfaqësueses që i kaloi të gjitha pengesat dhe festoi titullin rekord të Evropës në fund.
