Shqipëria e mbyll rrugëtimin në Euro 2024, por me kokën lart

2 min read

Shqipëria zhvilloi ndeshjen e fundit në grupin B të Kampionatit Europian ndaj Spanjës. Në stadiumin “Dusseldorf Arena” triumfuan iberikët me rezultatin minimal 1-0 teksa sfidën e vendosi Ferran Torres me golin e tij në minutën e 13-të të pjesës së parë. Pas kësaj disfate mbyllet edhe rrugëtimi i Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.Trajneri Silvinjo e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Spanjës: Thomas Strakosha (GK), Mario Mitaj, Berat Gjimshiti (C), Arlind Ajeti, Ivan Balliu, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Kristjan Asllani, Jasir Asani, Nedim Bajrami dhe Rey Manaj.Ndeshja nisi më mirë për Shqipërinë që ishte më kërkuese që në startin e ndeshjes. Megjithatë Spanja kaloi shumë shpejt në avantazh në minutën e 13-të me Ferran Torres. Dani Olmo asistoi saktë për sulmuesin e Barcelonës i cili i vetëm përballë portierit e dërgoi topin në rrjetë.Pas shënimit të golit Spanja kontrolloi lojën dhe Shqipëria rrezikoi vetëm në fundin e pjesës së parë me Kristjan Asllanin i cili lëshoi një goditje nga jashtë zonës por u ndal nga portieri Raya. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Spanjën.Fraksioni i dytë nisi me një tjetër ritëm për kuqezinjtë që u shfaqën disa herë rrezikshëm në portë kundërshtare por pa sukses. Trajneri Silvinjo në pjesën e dytë aktivizoi Brojën, Hoxhën, Berishën dhe Muçin.Rasti më i rrezikshëm i Shqipërisë u regjistrua në minutën e 62-të me Brojën i cili pati një mundësi të artë por u ndal nga portieri kundërshtar. Më pas disa raste të mira u shpërdoruan edhe nga Asllani, Broja e Hoxha. Në fund sfida u mbyll 1-0 për Spanjën.Rrugëtimi i Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” mbyllet me një barazim ndaj Kroacisë dhe dy humbje ndaj Italisë dhe Spanjës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *