Zvicra e shqiptarëve e nis me fitore Evropianin 2024

2 min read

Kombëtarja e Zvicrës ka shkëlqyer në pjesën e parë, por ka vujatur në të dytën.  Megjithatë ia doli të mbajë epërsinë ndaj Hungarisë për ta nisur me fitore paraqitjen në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”.

Të shtunën pasdite në Koeln, Zvicra fitoi 3:1 ndaj Hungarisë. Ndeshja i takoi Grupit A.

Pjesa e parë la përshtypjen se dallimi në cilësi mes dy përfaqësueseve është i madh.

Në minutën e 12-të, sulmuesi i Zvicrës, Kwadwo Duah, shënoi gol për 1:0. Ai realizoi pas asistimit të bukur të Michel Aebischer. Në fakt fillimisht u sinjalizua pozitë jashtë loje, por pas rishikimit të situatës në VAR, u pranua goli.

Duah e luajti vetëm ndeshjen e dytë për Zvicrën. Ai debutoi më herët këtë muaj. Zvicra vazhdoi dominimin dhe në minutën e 45-të e shënoi golin e dytë. Michel Aebischer gjuajti saktë e bukur nga distanca për rezultatin 2:0.Edhe pjesa e dytë nisi mirë për Zvicrën. Por gradualisht Hungaria mori kontrollin në fushë. Për 2:1 realizoi Barnabas Varga në minutën e 66-të. Ai shënoi me goditje me kokë nga afërsia, pasi fitoi duelin me mbrojtësin zviceran. Hungaria ka provuar të barazojë rezultatin, por Zvicra ia doli të rezistojë deri në fund për tri pikë shumë të rëndësishme. Krejt në fund, në minutën e 93-të, Breel Embolo shënoi për 3:1, pas një gabimi në mbrojtjen hungareze.

Granit Xhaka ka shkëlqyer në mesfushë te Zvicra. Ka nisur shumicën e aksioneve, ndërsa përqindjen e pasimeve të sakta e kishte shumë të lartë. Selektori i Zvicrës, Murat Yakin befasoi duke e lënë në stol Xherdan Shaqiri. Madje ylli shqiptar nuk u aktivizua fare. Në stol mbeti edhe Ardon Jashari.Në ndeshjen e parë të Grupit A, që ishte edhe hapëse e Evropianit, Gjermania fitoi 5:1 ndaj Skocisë, të premten mbrëma. Pas katër ditësh, Gjermania luan me Hungarinë në Stuttgart, ndërsa Skocia e Zvicra përballen në Koeln.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *