Xhaka, Shaqiri e Jashari sot përballë Hungarisë

2 min read

Zvicra e shqiptarëve do të përballet sot në Këln me Hungarinë, në kuadër të Grupit A në Euro 2024. Vendi mikpritës, Gjermania, kryeson këtë grup pasi mposhti Skocinë 5:1 të premten. Ndeshja Zvicër-Hungari fillon në orën 15:00.

Xhaka e Shaqiri me shokë synojnë një fillim të mbarë në fushatën e tyre të Euro 2024, duke kërkuar të arrijnë fazën me eliminim direkt për herën e tretë radhazi në një Kampionat Evropian.

“Pas sezonit të suksesshëm me Leverkusenin, tani më pret një sfidë krejtësisht e re. Mezi po pres fillimin e Kampionatin Evropian. Ne duam të japim shembull në ndeshjen hapëse”, tha Xhaka në konferencën e djeshme për media.

Në pyetjen se kur do të ishte i suksesshëm Kampionati evropian për Zvicrën, ai është përgjigjur: “Ata që më njohin e dinë se çfarë dua të përgjigjem në fakt. Por nuk do ta them këtë. Por, mund të them se jam mjaftueshëm i motivuar. Kam bërë një sezon të mirë në klub me moton lojë pas loje. Ne tani e kemi ndeshjen e parë dhe shpresojmë të marrim tre pikët”.

Hungaria vjen në këtë turne me një rekord mbresëlënës vitet e fundit, e ku fazën kualifikuese e kaloi pa humbje. Humbja ndaj Irlandës në një miqësore para turneut javën e kaluar ishte humbja e parë e ekipit hungarez që nga viti 2022.

Ylli i Hungarisë, Dominik Szoboszlai nga Liverpooli, kishte nevojë për trajtim në kofshën e tij të majtë në fitoren 3-0 miqësore të së shtunës ndaj Izraelit dhe u zëvendësua si masë paraprake, por duket se do të jetë i gatshëm për lojën e sotme.

Trajneri i Hungarisë, Marco Rossi, tha se mesfushori me origjinë franceze, Loic Nego, nuk do të jetë i gatshëm përballë Zvicrës, por mund të rikuperohet për ndeshjen e dytë të mërkurën kundër Gjermanisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *