Llapi konfirmon transferimin e Muhamet Hysenit në Danimarkë

2 min read

Klubi Futbollistik Llapi njofton opinionin se ka arritur marrëveshje zyrtare për transferimin e futbollistit Muhamet Hyseni për 5 vite në klubin AC Horsens që bënë gara në divizionin e parë të futbollit danez. Marrëveshja me klubin AC Horsens është arritur në pajtueshmëri të plotë me futbollistin Hyseni, i cili do u bashkohet atyre në përgatitje para datës 20 qershor.

“Klubi ynë ka negociuar tash e disa muaj me klubin AC Horsens për transferimin e Hysenit, teksa sot edhe është zyrtarizuar nga klubi danez.

AC Horsens kanë qenë ndër klubet më serioze dhe me projektin më të mirë si për futbollistin ashtu edhe për ne si klub, ku gjatë bisedimeve kemi rënë dakord që përveç Hysenit, klubet do bashkëpunojnë ngushtë edhe për futbollistë tjerë nga KF Llapi.Muhamet Hyseni në dy periudha kohore me Llapin, ka zhvilluar në total 80 paraqitje, 33 gola e 11 asistime.

Në sezonin që sa po mbyllëm Hyseni u shpall golashënuesi më i mirë i Albi Mall Superligës me 26 gola të realizuar. Krahas 26 golave, ai kontribuuoi edhe me 6 asistime, duke ndihmuar klubin të kualifikohet në raundin e parë të UEFA Europa League si nënkampion.

Klubi do e ndjej “boshëllëkun” e lënë nga ai para ndeshjeve shumë të rëndësishme evropiane, megjithatë insistimi i vazhdueshëm i klubit AC Horsens, ka bërë që Hyseni përkundër dëshirës së madhe për të kontribuuar edhe më tej për Llapin, t’i bashkangjitet klubit të ri.

KF Llapi falënderon përzemërsisht futbollistin Muhamet Hyseni për kontributin e çmueshëm për klubin, golat dhe asistimet. Një futbollist si Hyseni do mbahet gjatë në mendjet e secilit tifoz llapjan. Pa dyshim që si futbollist, karriera e tij do të jetë shumë e ndritshme, megjithatë në çdo kohë, dyert e KF Llapit do të jenë të hapura për futbollist me karakter dhe profesionist si ai.Faleminderit kampioni ynë, Muhamet Hyseni!”, thuhet në njoftimin e klubit llapjan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *