June 17, 2024

Kroos vendos: Pas Euro 2024 tërhiqem nga futbolli

1 min read

Toni Kroos do t’i japë fund karrierës së tij profesionale në futboll. Ai do të përshëndetet me Real Madridin në fund të këtij sezoni, më pas do të luajë në Kampionatin Evropian që mbahet në vendlindjen e tij për t’u tërhequr më pas përfundimisht nga futbolli.

Kroos shkroi në rrjetet sociale për të njoftuar fundin e karrierës së tij fantastike.

“Ishte 17 korriku 2014 – dita e promovimit tim në Real Madrid, dita që ndryshoi jetën time. Jeta ime si futbollist, por edhe si njeri. Ishte fillimi i një kapitulli në klubin më të madh në botë. Tani karriera ime po mbyllet pasi do të përshëndetem pas përfundimit të Kampionatit Evropian. Siç e thashë edhe më parë, Real Madrid është klubi im i fundit në karrierën time”, ka shkruar Kroos.

Kroos mbërriti te Real Madrid në vitin 2014 dhe fitoi gjithçka që mund të fitohet në nivel klubi. Ai më parë ka luajtur për Bayern Munich dhe një sezon për Bayer Leverkusen.

Ai sivjet fitoi titullin e kampionit në La Liga, kurse me Realin ka mundësi ta fitojë edhe Ligën e Kampionëve, pasi në finale luan me Borussia Dortmundin, kurse ka mundësi për të fituar edhe titullin e kampionit në Euro 2024 me Gjermaninë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *