Fanella e Gjermanisë u tërhoq nga shitja sepse numri i ngjan simbolit nazist

Prodhuesi i pajisjeve sportive Adidas dhe Federata Gjermane e Futbollit kanë tërhequr nga shitja fanellën e kombëtares gjermane me numrin 44 pas kritikave se dizajni i numrit i ngjan një simboli nazist.
Kompania gjermane “Adidas” prezantoi muajin e kaluar fanellat e reja me të cilat do të luajë kombëtarja gjermane në Kampionatin Evropian të ardhshëm dhe përdoruesit e rrjeteve sociale vunë re se numri 44 në dizajnin e ri në fanellën e bardhë i ngjan simbolit “SS” – Schutzstaffel ishte e njohur si organizata kryesore paraushtarake nën komandën e Adolf Hitlerit dhe Partisë Naziste.
Pas kundërshtimeve dhe diskutimeve të ashpra në publik, nga sot nuk është më e mundur të porositet një fanellë gjermane me numrin 44 në dyqanin online “Adidas” dhe ndërkohë të gjitha dërgesat e fanellave të blera me numrin e diskutueshëm tashmë janë pezulluar. Gjithashtu, asnjë futbollist gjerman nuk do të mbajë fanellën me numrin 44 në shpinë.
Adidas u kritikua, por kompania e famshme pretendon se Federata Gjermane e Futbollit (DFB) dhe partnerët e saj janë përgjegjës për dizajnin e emrave dhe numrave në fanellat e reja.
“Adidas punëson anëtarë të rreth 100 kombësive, kompania jonë mbron promovimin e diversitetit dhe gjithëpërfshirjes, dhe ne kundërshtojmë në mënyrë aktive ksenofobinë, antisemitizmin, dhunën dhe urrejtjen në çdo formë. Çdo përpjekje për të promovuar qëndrime që margjinalizojnë nuk janë pjesë e vlerave tona. Kompania refuzon me vendosmëri çdo insinuatë se ky ishte qëllimi ynë”, tha zëdhënësi i Adidas, Oliver Bryggen për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.
Fanella e Gjermanisë për Kampionatin Evropian nuk është e vetmja që është bërë objekt polemikash dhe kritikash, pasi publiku anglez, përfshirë njerëz të famshëm dhe politikanë, së fundmi u alarmuan nga detajet në jakën e fanellës së bardhë.
Kampionati Evropian në Gjermani fillon më 14 qershor, ndërsa finalja është planifikuar më 14 korrik.
