Ademi: I lumtur që të gjithë atyre që e duan futbollin po u japim mundësinë të jenë pjesë e tij
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka shfaqur krenarinë e tij për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes, përmes së cilës do të koordinohen veprimet mes FFK-së dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe realizimit të aktiviteteve të përbashkëta sportive.
“Me këtë marrëveshje, ne si FFK dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës do të bashkëpunojmë në përmirësimin e infrastrukturës sportive në të gjithë Kosovën. Pjesë e këtij memorandumi është edhe donacioni i FSK-së për Kampin Nacional në Hajvali, por edhe mbëshetja jonë për FSK-në në mirëmbajtjen e fushave me bari natyral në të gjitha kazermat si dhe përkrahja e aktiviteteve të tyre sportive”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale.
I pari i FFK-së në vazhdimësi ka veçuar uniformën e ushtrisë së Kosovës dhe uniformën e Kombëtares së Kosovës si dy uniformat më të dashura për popullin tonë, teksa tani ka thënë se ndihet i lumtur që përmes memorandumeve të tilla po u jepet hapësira e mundësia të gjithëve të jenë pjesë e futbollit. “Si president i FFK-së jam i lumtur që me bashkëpunime të tilla po arrijmë t’u japim mundësinë të gjithëve atyre që e duan futbollin të jenë pjesë e tij dhe të kenë mjedis sa më të mirë për zhvillimin e aktivitetit të tyre. Faleminderit Ministrisë së Mbrojtjes dhe ministrit Ejup Maqedonci për bashkëpunimin e sinqertë dhe të vazhdueshëm! Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi, bashkë për futbollin!”, ka shkruar tutje Ademi.
