Aston Villa merr fitoren e tretë radhazi, mban hapin me kreun e tabelës

Aston Villa ka regjistruar fitoren e tretë rresht në Premierligë, duke vazhduar kështu të mbajë hapin me skuadrat nga kreu i tabelës.
Të udhëhequrit e Unai Emery triumfuan sot në udhëtim ndaj Brentfordit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të.
Ndeshja e zhvilluar në “Brentford Community Stadium” përfundoi me rezultatin 1:2.
Vendasit ishin të parët që kaluan në epërsi me golin e Keane Lewis-Potter (45’), por “Villians” ia dolën të përmbysin gjithçka në pjesën e dytë.
Përmbysja nisi pasi Brentfordi mbeti me një futbollist më pak, pasi Ben Mee (71’) u përjashtua me karton të kuq.
Alex Moreno (77’) dhe Ollie Watkins (85’) realizuan golat e fitores për Aston Villan.
Në fundin e ndeshjes ishte edhe Boubacar Kamara (90+7’), që u përjashtua gjithashtu nga ndeshja te skuadra mysafire direkt me karton të kuq.
Aston Villa pas kësaj fitore ka 38 pikë dhe tani pozicionohet e dyta në tabelë, me një pikë më pak se lideri i tanishëm, Arsenali, dhe një më shumë se Liverpooli.
Gjithsesi, kjo renditje mund të ndryshojë pasi të ketë përfunduar derbi mes Liverpoolit dhe Manchester United, që luhet nga ora 17:30.
Brentfordi mbetet në kuotën e 19 pikëve dhe renditet në pozitën e 12-të.