July 2024
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
July 2, 2024

Fitore me shumë peshë e Kosovës ndaj Izraelit

5 min read

Kosova ka shënuar fitore 1:0, por me peshë shumë të madhe ndaj Izraelit. Të dielën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, në praninë e rreth tre mijë shikuesve dhe në fushë shumë të rënduar, Kosova e fitoi ndeshjen e shtyrë të kualifikimeve për “Euro 2024”. Ndeshja është dashur të luhej muajin e kaluar por u shty për shkak të gjendjes në Lindjen e Mesme.

Shtyrja e ndeshjes dhe caktimi i terminit të ri për 12 nëntor solli telashe e sfida të mëdha për Kosovën. Sfidat nuk u ndanë deri në fishkëllimën e fundit të arbitrit, kur edhe nisi festa e madhe e lojtarëve të Kosovës.

Golin e fitores e shënoi Milot Rashica në minutën e 41-të. Ai realizoi gol të bukur me goditje të fuqishme nga zona. Pas një topi të gjatë të Aro Muriqit, sulmuesi Vedat Muriqi shtyu topin me kokë për te Rashica që ishte i saktë për festën e madhe në stadiumin në Prishtinë.

Image

“Besoj që është gjithmonë kënaqësi të shënoj, sidomos me Kombëtaren. Kemi pasur periudhë të vështirë në fillim, por po përmirësohemi. Fusha na ka pamundësuar të luajmë lojë të mirë për sy. Por me rëndësi është që shënuam fitoren dhe morëm tri pikët. Mendoj se të gjithë janë të lumtur”, ka thënë Rashica. “Aftësia e Muriqit në lojën në ajër më lehtëson shumë punën. Më duhet vetëm ta përcjell atë. Është prej pozitave që më pëlqen më së shumti kjo ku kam luajtur sonte. Lojtarët e rinj janë përshtatur shumë shpejt. Kanë luajtur lojë të mirë, kanë luftuar për çdo top. Kemi pasur raste edhe më shumë se në ndeshjet e tjera, kur terreni ishte më i mirë. Është dashur t’i shfrytëzojmë edhe dy-tri raste. Tani do të provojmë t’i fitojmë dy ndeshjet e ardhshme. Është mëkat i madh që po e humbim një mundësi shumë të madhe. Ka qenë shumë e mundshme, por duhet të shikojmë para”, ka thënë Rashica.

Në fakt, lojtarët e Kosovës kanë shkëlqyer në fushën shumë të rënduar e të mbushur me lloç. Kanë krijuar shumë raste, por edhe kanë shpërdoruar shumë. Në fund vendimtar doli të jetë goli i Rashicës.

Fitorja kishte edhe çmim të lartë. Në minutën e 66-të kapiteni në këtë ndeshje, Vedat Muriqi, lëshoi fushën për shkak të një lëndimi.

Kosova kishte mungesa të mëdha në këtë ndeshje, ndërsa edhe masat e rrepta të sigurisë kanë pasur ndikimin e tyre. Por në fushë lojtarët e Kosovës kanë dominuar plotësisht për fitoren e parë në shtëpi në kualifikimet për “Euro 2024”.

Për shkak se në fundjavë kishte xhiro të rregullt në ligat evropiane, lojtarë të rëndësishëm i munguan Kosovës. Kapiteni Amir Rrahmani, pastaj Edon Zhegrova, Arbër Zeneli, Betim Fazliji ishin ndër ata që munguan.

Kjo bëri që rastin ta fitojnë emra të rinj. Në mbrojtje përkrah Fidan Alitit u paraqitën Lumbardh Dellova e Ilir Krasniqi, dy lojtarë të Superligës. Në mesfushë ishin Qëndrim Zyba, Florian Loshaj e Florent Muslija, ndërsa në krahë Lirim Kastrati e Bernard Berisha. Më i avancuar ishte Rashica e krejt në sulm i pazëvendësueshmi Muriqi. Porta, si zakonisht iu besua Aro Muriqit.

Kjo vendosje e Primozh Glihas doli të jetë e qëlluar. Rezultati në fund e dëshmoi këtë.

Image

“Secila situatë në futboll është normale. Duhet të gjesh zgjidhje për të luajtur apo të qash. Unë nuk qaj asnjëherë. Sonte kishim shumë shanse, por fusha është kjo që është. Kur krijon shumë shanse është dëshmi që skuadra ka funksionuar mirë. Unë besoj në lojtarë që i kam aktivizuar. Kanë pasur paraqitje të mira. Kosova ka lojtarë për të ardhmen. Secila ndeshje është specifike. Kur Rashica e Muriqi luajnë së bashku jemi shumë të fortë. Shumë, shumë të fortë. Por prej se kam ardhur këtu kemi pasur vetëm nëntë stërvitje dhe i kemi luajtur katër ndeshje”, ka thënë Gliha.

Për Kosovën është fitorja e dytë rresht pas asaj të arritur më 12 tetor në Andorrë, me rezultatin 3:0.

Kosova tani i ka dhjetë pikë nga tetë ndeshje. Mbetet në pozitën e katërt. Izraeli i ka 11 pikë nga shtatë ndeshje. Udhëheq në Grupin I, Rumania me 16 pikë, nga tetë ndeshje. Zvicra i ka 15 pikë nga shtatë ndeshje.

Pos shiut dhe fushës së keqe, ndeshjen e “rënduan” masat shumë të rrepta të sigurisë. Në stadium, por edhe rreth tij, kishte qindra policë e pjesëtarë të sigurisë në rroba civile. Janë parë pjesëtarë të sigurisë edhe në objektet përreth stadiumit. Masat e rrepta ishin në fuqi që prej se Përfaqësuesja e Izraelit erdhi në Kosovë.

Izraelit nuk i është bërë pritja më e ngrohtë nga shikuesit në Prishtinë. Ka pasur fishkëllima kur janë thirrur emrat e lojtarëve të Izraelit. Kishte fishkëllima edhe më të mëdha kur u intonua himni i Izraelit. Lojtarët e Izraelit në fillim të ndeshjes janë fishkëllyer kur e kishin topin në pronësi, por kjo nuk zgjati shumë.

Image

Më pas fokusi ishte te loja në fushën që vetëm e blertë nuk ishte. Kosova krijoi 13 raste gjithsej, ndërsa Izraeli i kishte nëntë. Por Kosova i kishte shtatë goditje në kornizë të portës, ndërsa Izraeli vetëm dy. Më e rëndësishmja, Kosova shënoi golin dhe mori pikët.

“U takon një urim dhe një kompliment djemve të rinj që kanë ardhur për herë të parë. Kanë bërë punë fantastike. Është dashur t’i dirigjojë dy lojtarët e tjerë të mbrojtjes. Komplimente për ta, kanë bërë lojë fantastike. Terreni ishte i njëjtë për të dy palët. Nuk kemi rrezikuar shumë dhe e kemi ditur që kemi Vedatin përpara. Kështu shënuam edhe golin. Në këtë terren shihet karakteri i ekipit dhe këtë e dëshmuam. Luftuam për njëri-tjetrin”, ka theksuar Fidan Aliti.

Më 18 nëntor Kosova luan në udhëtim ndaj Zvicrës. Ndeshja luhet në Basel. Më 21 nëntor, Kosova e pret Bjellorusinë në mbyllje të kualifikimeve. Cikli është sërish i pasuksesshëm, por fitoret si kjo ndaj Izraelit sërish ngjallin shpresë për të ardhme më të ndritur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *