Llapi me fitore dramatike ndaj Lirisë në ‘Zahir Pajaziti’

Llapi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në duel me Lirinë, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, me rezultat 2:0, në kuadër të javës së 9-të në Albi Mall Superligë. Deri te kjo fitore llapjanët erdhën me mjaft vështirësi, pasi në një periudhë të lojës ishin me dy lojtarë më pak në fushë pas përjashtimit të Besar Musollit (25’) dhe Ahmed Januzit (75’). Gjithsesi, kontribut të madh në këtë fitore dha edhe portieri Ilir Avdyli, i cili në minutën e 51-të e mbrojti gjuajtjen e Festim Alidemës nga penalltia. E pikërisht kur mbeti me dy lojtarë më pak më fushë skuadra e Tahir Batatinës arriti të kalojë në epërsi. Ishte Muhamed Hyseni, ai i cili fitoi penallti, të cilën më pas e shndërroi në gol, duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij. Gjërat për llapjanët u bënë më të lehta kur gjyqtari Dardan Çaka e përjashtoi nga loja edhe lojtarin e Lirisë, Aprocius Megameno (79’), pas ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë, teksa gabimin e mbrojtjes prizrenase në minutën e 86-të e shfrytëzoi i rikthyeri në radhët e Llapit, Valmir Veliu, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2:0.