Malisheva del triumfuese nga ‘Përparim Thaçi’

Malisheva ka shënuar fitore në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, në ndeshjen e tensionuar me Lirinë.
Malishevasit triumfuan me rezultatin 1:0 të shtunën, falë një goli që e shënoi Ilir Mustafa.
Mustafa ishte i saktë nga penalltia e minutës së 68-të, e cila u fitua nga Etnik Brruti. Brruti ishte penguar nga portieri i Lirisë, Arlis Shala, ndërsa penalltia u sinjalizua nga gjyqtari Valon Bajgora, pasi e rishikoi situatën në VAR.
Malisheva nga minuta e 77-të luajti pa Drilon Hazrollajn, që u përjashtua nga loja nga gjyqtari Bajgora, pas tollovisë së krijuar në fushë nga lojtarët e të dyja ekipeve.
Liria mbetet me gjashtë pikë në tetë ndeshje. Malisheva tani ka 12 pikë në tetë ndeshje të zhvilluara.
Në ndeshjen e xhiros së nëntë, Liria udhëton te Llapi, kurse Malisheva e pret Dritën.