Ballkani fiton ndaj Llapit dhe merr kryesimin

Ballkani e ka fituar kryendeshjen e xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll dhe ka marrë kryesimin në tabelë. Të shtunën në stadiumin e qytetit në Suharekë, Ballkani mposhti Llapin 2:1.
Nazmi Gripshi shënoi supergol për vendësit në minutën e 36-të.
Ai kaloi një kundërshtar dhe plasoi topin në këndin ku portieri Ilir Avdyli e pati të pamundur ta presë.
Almir Kryeziu shënoi gol të bukur po ashtu, dy minuta pasi nisi pjesa e dytë.
Për Llapin realizoi talenti premtues, Elvir Gashijani. Gashjani në minutën e 72-të të ndeshjes shfrytëzoi gabimin e rëndë të portierit Enea Koliçi dhe realizoi për rezultatin 2:1.
Ndeshja ishte e tensionuar deri në fund, ndërsa raste patën të dyja ekipet. Por pikët e plota i mori Ballkani, që tani është lider me 19 pikë në shtatë ndeshje, tri më shumë se Llapi që ka tetë ndeshje të luajtura.
Në xhiron e nëntë të Superligës, Ballkani luan në udhëtim te Prishtina, teksa Llapi e pret Lirinë.