Gjermania eliminohet nga Botërori

Përfaqësuesja e Gjermanisë është eliminuar nga Kampionati Botëror i futbollisteve që po mbahet në Australi dhe Zelandë të Re. Gjermania nuk arriti të avancojë përtej fazës së grupeve pasi përfundoi e treta në Grupin H me 4 pikë të mbledhura pas tri ndeshjeve të luajtura.
Në ndeshjen e fundit dhe vendimtare, të zhvilluar të enjten, Gjermania luajti 1:1 kundër Koresë së Jugut, që mori pikën e parë në këtë Botëror pas dy humbjeve.
Ndërkohë, prej këtij grupi në fazën nokaut janë kualifikuar Kolumbia dhe Maroku. Këto dy ekipe, u përballen po ashtu të enjten në ndeshjen tjetër të grupit, të cilën e fitoi Maroku me rezultatin minimal 1:0.
Golin e fitores për Marokun që e humbi edhe një penallti, e shënoi sulmuesja Anisa Lahmari në kohën shtesë të pjesës së parë.
Me këtë fitore, Maroku përfundoi i dyti në grup me 6 pikë, sa i ka edhe Kolumbia por që mbeti e para për shkak të goldallimit më të mirë.