Flick nuk garanton që Neuer do të jetë portieri titullar

Trajneri i Gjermanisë, Hansi Flick, ka thënë se nuk mund t’i garantojë portierit Manuel Neuer se do të kthehet në pozitën e portierit të parë në kombëtare pas lëndimit të tij.
Portieri 37-vjeçar i Bayern Munichut dëmtoi rëndë gjurin e djathtë gjatë skijimit në fillim të dhjetorit.
Neuer fillimisht kishte shpresuar të ishte 100 për qind i aftë për fillimin e përgatitjeve verore të Bayernit në mes të korrikut, por ai u stërvit veçmas nga skuadra dhe nuk udhëtoi në turneun aziatik.
“Do të doja ta shihja Manuelin në formën që ne të gjithë e njohim, ia uroj atë”, tha Flick në një intervistë për Kicker.
“Për sa i përket ekipit kombëtar, duhet të themi gjithashtu se Marc-Andre ter Stegen ka bërë gjëra të mira si me Barcelonën ashtu edhe me ne”, shtoi Flick, duke e lënë vendin e Neuerit në formacionin titullar të Gjermanisë një pikëpyetje të madhe.
Kombëtarja gjermane ra në një krizë të thellë pasi u eliminua në fazën e grupeve të Botërorit të Katarit. Si mikpritëse e Kampionatit Evropian të vitit 2024, Gjermania është kualifikuar automatikisht në atë turne dhe i pret një periudhë e gjatë miqësore.
Ndeshjet në qershor u kthyen në një debakël, një barazim në minutën e fundit kundër Ukrainës (3:3) dhe tri humbje ndaj Belgjikës (3:2), Kolumbisë (2:0) dhe Polonisë (1:0).
Pas dështimit të Botërorit, rezultatet e dobëta e vunë edhe më shumë në presion trajnerin, të cilit iu zgjat kontrata deri në Evropian.