Paris Saint-Germain afër gjysmëfinales pas fitores ndaj Aston Villas

Paris Saint-Germain ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve, duke triumfuar 3:1 ndaj Aston Villas në ndeshjen e parë çerekfinale, të zhvilluar të mërkurën mbrëma në “Parkun e Princave”.
Edhe pse rezultati lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit në “Villa Park”, fitorja dhe paraqitja bindëse e parisienëve i vendos ata në një pozitë shumë të favorshme për kualifikim.
Ishte skuadra mysafire ajo që shënoi e para. Morgan Rogers realizoi në minutën e 35-të, duke befasuar publikun vendas dhe kaluar anglezët në epërsi 1:0.
Por gëzimi i Aston Villas nuk zgjati shumë. Vetëm katër minuta më vonë, talenti francez Desire Doue barazoi rezultatin me një supergol që elektrizoi “Parkun e Princave”.
Në pjesën e dytë, Parisi mori kontrollin e plotë të lojës. Vetëm katër minuta pas rifillimit, në minutën e 49-të, Khvicha Kvaratskhelia shënoi një tjetër gol të bukur, duke e përmbysur rezultatin në 2:1 në të mirë të PSG-së.
Kampioni francez vazhdoi të shtyjë për më shumë dhe nuk u mjaftua me epërsinë minimale. Në minutën e 92-të, Nuno Mendes goditi përfundimisht Aston Villan me golin e tretë, duke vendosur rezultatin përfundimtar 3:1 dhe duke i dhënë skuadrës së Luis Enriques një avantazh të rëndësishëm para udhëtimit në Angli.