Thursday, May 26, 2022
HomeSPORTE TJERATrepça kërkon ta kthejë titullin pas një dekade në Mitrovicë

Trepça kërkon ta kthejë titullin pas një dekade në Mitrovicë

Pasi dy herë rresht i shpëtoi rënies nga Superliga nëpërmjet ndeshjeve të plejautit, skuadra e Trepçës këtë edicion është paraqitur fuqishëm në elitën e basketbollit kosovar. Pasi triumfoi në garën për Kupën e Kosovës, Trepça po e synon titullin e kampionit i cili i mungon ekipit nga Mitrovica tashmë një dekadë. Në fakt, Trepça pas një dekade e fitoi edhe Kupën e Kosovës.

Trepça doli e dyta në stinorin e rregullt dhe është kualifikuar automatikisht në gjysmëfinale të plejofit, së bashku me Golden Eagle Yllin që përfundoi në pozitën e parë.

Rikthimin e fuqishëm të Trepçës në skenën e basketbollit kosovar po e udhëheq trajneri nga Bullgaria, Lubomir Minchev, kurse kryesia e klubit ka ofruar mundësitë më të mira për skuadrën.

Minchev është prej fillimit të edicionit në krye të Trepçës, që mbetet ekipi që ka bërë më së paku ndërrime të lojtarëve të huaj prej atyre që janë kualifikuar në plejof. Minchev pranon se ekipi i tij ka cilësi dhe thotë se synimi i Trepçës mbetet titulli i kampionit, mision ky që nuk do të jetë i lehtë. Por insiston se janë të gatshëm për t’i shkuar deri në fund garës. Në gjysmëfinale të plejofit Trepça e pret fituesin e duelit çerekfinal ndërmjet Pejës e Bashkimit.

“Po, synimi i Trepçës është titulli i kampionit. Por, problemi është se edhe pesë ekipet e tjera që po luajnë në plejof e kanë të njëjtin synim. Kështu që nuk do të jetë aspak lehtë”, është shprehur Minchev për KOHËN, të martën.

Trajneri bullgar e di shumë mirë se Trepça dy herë rresht ka luajtur në plejaut për ta konfirmuar statusin e skuadrës së Superligës. Michev thotë se tani Trepça ka një fytyrë krejtësisht tjetër dhe është skuadër ambicioze. Sipas tij, ky ndryshim nuk ka qenë aspak i lehtë, por është bërë falë organizimit të mirë brenda klubit.

“Ky tranzicion i Trepçës prej ekipit të parafundit në ekipin e dytë më të mirë të stinorit të rregullt ka qenë i vështirë, por kur klubi ka një organizim të mirëfilltë dhe stabilitet financiar atëherë gjasat janë shumë të mëdha që një tranzicion i tillë të ndodhë”, ka shtuar tekniku nga Bullgaria. “E pas kësaj vjen procesi i seleksionimit të lojtarëve dhe stërvitjes. Kur kësaj i shtohet edhe fati, atëherë nuk ka se si mos të ndodhë ndryshe. Mirëpo për t’i shkuar deri në fund të edicionit këtij procesi kemi nevojë që të gjithë lojtarët t’i kemi në dispozicion, pra të mos kemi asnjë të lënduar”.

Edhe në klub e kanë konfirmuar këtë ndryshim të madh të Trepçës, që insistojnë se ka filluar me ristrukturimin e kryesisë dhe kthimin e lojtarëve mitrovicas si Drilon Hajrizi e Samir Zekiqi. Trepça arriti edhe në finale të Superkupës së Kosovës dhe për drejtorin sportiv Izet Tahiri ky edicion mund të quhet i suksesshëm. Tahiri ka paralajmëruar se Trepça edhe edicionet e tjera do të luftojë për trofe dhe do të jetë edhe më e fortë.

“Ringjallja e klubit pas dy vjetëve në plejaut ka nisur prej ndryshimit në kryesi. Ka një vit e gjysmë që është një kryesi krejtësisht tjetër. Me ardhjen e kryetarit Vullnet Sefaja dhe nënkryetarit Lindrit Misini, klubi është rritur financiarisht dhe normalisht që nuk kemi lejuar që një klub me renome si Trepça të ballafaqohet vazhdimisht në plejaut. Kthimi i fuqishëm i Trepçës ka të bëjë me stabilitetin financiar, organizimin e mirëfilltë në çdo aspekt duke filluar nga gjeneratat e reja deri te seniorët, pastaj përforcimet dhe kthimi i vendorëve, Drilonit e Samirit”, ka thënë Tahiri. “Normalisht që synojmë ta fitojmë titullin e kampionit, por gjithçka nuk varet prej nesh. Jemi në gjysmëfinale dhe synimi është ta kalojmë këtë pengesë dhe pastaj të mendojmë për finale. Në realitet ne si klub kemi qenë pjesëmarrjes në finalen e Superkupës së Kosovës, kemi fituar kupën e Kosovës dhe tani jemi në gjysmëfinale të plejofit. Mendoj se është një edicion i suksesshëm, por edhe në edicionet e tjera Trepça do të luftojë për trofe”.

TË FUNDIT NGA FUTBOLLI VENDOR /

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Të fundit /

Recent Comments