Thursday, May 26, 2022
HomeFUTBOLLI NDËRKOMBËTARZhegrova merr vlerësimet e trajnerit pas supergolit të shënuar

Zhegrova merr vlerësimet e trajnerit pas supergolit të shënuar


Ndonëse nuk po luan vazhdimisht, Edon Zhegrova po vlerësohet te kampioni në fuqi i Francës, Lille. Dhe pas supergolit që e shënoi të dielën pasdite, reprezentuesi i Kosovës do të vlerësohet edhe më shumë.

23-vjeçari e shpëtoi Lillen nga humbja ndaj Angersit. Ai hyri në lojë në minutën e 66-të në ndeshjen e xhiros së 31-të të Ligue 1 të Francës. Lille ishte duke humbur 1:0, por Zhegrova shfaqi magjinë në minutën e 74-t. Ai pranoi top jashtë zonës dhe me goditje të bukur shënoi gol për 1:1. Goli i tij i la të habitur edhe komentatorët francezë.

Lille ka kërkuar fitoren, por në fund Zhegrova e shpëtoi nga humbja. Për të ishte goli i dytë në gjashtë paraqitje në Ligue 1.

“Edon Zhegrova, goli i tij është pika e tij më e fortë. Ai është i shkathët, i pandalshëm në pozitat një kundër një. Ai është djalosh shumë i mirë që po lë gjurmë. Ai ka talent, indiferenca e tij është e dobishme për ne”, ka thënë trajneri i Lille, Jocelyn Gourvennec.

Vetë Zhegrova e ka vlerësuar golin, por ka thënë se nuk është i kënaqur. Ai ka pasur vërejtje edhe në vendimet e arbitrave.

“Goli është dëshmi se po punoj shumë në stërvitje. Mundohem të shënoj gola të tillë në stërvitje. Ishte gol i bukur, por nuk jam i lumtur pasi nuk kemi fituar tri pikët. Është dashur të paraqitemi më mirë sot. Ky nuk është rezultat i mirë për ne”, ka theksuar Zhegrova.

“Duhet të fitojmë tri pikët në ndeshjen e ardhshme. Referi ka bërë gabime sot. Por nuk guxojmë të bazohemi në gabimet e referëve, duhet të shohim lojën tonë. Kur jep shenjë referi, nuk ka kthim prapa. Duhet të shikojmë para dhe të mundohemi të fitojmë ndeshjen”, ka theksuar Zhegrova pas ndeshjes.

Në referim është ankuar edhe kapiteni Jose Fonte.

“Jemi munduar ta luajmë lojën tonë. E kemi ditur se do të kemi shanset tona dhe hapësirën në fund të lojës. Kjo ndodhi te goli. Por ishte shumë vështirë”, ka thënë Fonte.

Lille mban pozitën e shtatë në kampionatin francez me 48 pikë nga 31 ndeshje. Edicioni aktual për Zhegrovën do të jetë i ambientimit në Ligue 1. Shpërthimi i tij pritet edicionin e ardhshëm.

TË FUNDIT NGA FUTBOLLI VENDOR /

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Të fundit /

Recent Comments