Thursday, May 26, 2022
HomeFUTBOLLI NDËRKOMBËTARMërgim Vojvodës pritet t'i jepet një detyrë e re nga Juric

Mërgim Vojvodës pritet t’i jepet një detyrë e re nga Juric

Gjatë njërës prej seancave stërvitore të ekipit të Torino, trajneri Juric e kishte ftuar Mërgim Vojvodën që t’i afrohej për ta komplimentuar duke e quajtur “ushtar”. Një ngjarje të tillë e rrëfeu Mërgimi për mikrofonin e transmetuesit italian të Serie A, DAZN Italia, në kuadër të një interviste që u publikua një javë më parë. “Ushtar”, sepse Juric tek ai vërejti gatishmërinë e plotë për t’u sakrifikuar për skuadrën, pavarësisht rreshtimit apo pozicionimit në fushë, nëse përkon apo jo me preferencat e tij dhe pozitën natyrale që është mësuar ta mbulojë. Një nofkë që i pëlqen dhe me të cilën jo rrallëherë është vetidentifikuar mbrojtësi kosovar. 

Gazetarët e afërt me ambientin e Torino, si Mario Pagliara, bëjnë të ditur që Mërgim Vojvodës, njësoj sikurse Singo, trajneri Juric pritet t’ua japë një direktivë të re. Fjala vjen, në këtë rast mbrojtësi i krahut dardan do të kishte më shumë detyra defansive sesa seç kishte deri më tani. Pra, nga ai do të kërkohet një tjetër sakrificë, për dallim prej mënyrës sesi është mësuar ta interpretojë lojën në skemat e Juric. 

Me pak fjalë, do të ishte më shumë një mbrojtës klasik krahu, me detyra defansive – sesa një anësor me predispozita të jetë vazhdimisht i pranishëm në fazën sulmuese me inkursione dhe harkime. Mërgimi nuk karakterizohet për anën defansive si elementin e tij më të fortë, ku shpeshherë çalesat janë vënë në dukje, paçka është kritikuar. Kjo është vënë në pah edhe në ndeshjet me fanellën e Kosovës. Ndërsa sa i përket detyrave sulmuese, Juric gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes Torino – Genoa, në fund të muajit tetor, kishte deklaruar që nga anësorët si Singo, Aina, Ansaldi dhe Vojvoda – kërkon 4 deri në 5 gola deri në përfundim te sezonit. Vojvoda akoma s’ka arritur ta gjejë rrugën e golit të parë në Serie A gjatë këtij sezoni, mirëpo ia ka dalur t’i bëjë dy asistime të rëndësishme, që kanë pasur peshë të rëndësishme, si ai i fitores si vendas ndaj Fiorentina, ku harkoi për golin e Singo. Rrugëtimi i Vojvodës filloi si lojtari i Torino në më së paku minuta i angazhuar në fushë në dy muajt e parë të sezonit 2021/’22, kurse përfundojë të jetë ndër titullarët e paprekshëm, ku përulësisht iu bind urdhërave të trajnerit për të luajtur në krah të majtë, ndryshe nga ai i djathti ku është i profilizuar.

Megjithëse, një detyrë e tillë nuk ishte krejtësisht e re. Mbase, ajo ishte e ricikluar. Një provë të tillë ia kishte besuar ish-trajneri i Torino, Giampaolo (tani trajner i Sampdoria),  gjatë muajit dhjetor të vitit 2020, në ndeshjen ndaj Udinese. Mediat italiane nuk ngurronin atëbotë ta quanin si “eksperiment i falimentuar”, pasi vetëm në dy ndeshje u përdor në atë rol (ndaj Bologna në shtëpi dhe Roma në udhëtim), pa lënë mbresa. Prandaj, me sy dyshues u pa edhe ripërtërirja e këtij besimi nga Juric, i cili ndaj Roma në Olimpico më 28 nëntor, 2021, ia mundësoi paraqitjen e parë si anësor i majtë nën drejtimin e tij si trajner i Torino. 
Sidoqoftë, s’ka kohë për Vojvodën për të qëndruar i qetë, pasi tani e një javë i është lëkundur edhe pozita e titullarit në krahun e majtë, gjithnjë duke u referuar reporterëve lokalë. Kësisoj, balotazhi do t’i prekë një sëri lojtarësh te Torino, përfshirë edhe Vojvodën, duke ua humbur statusin e lojtarëve titullarë të paprekshëm. Lojtari ynë i kombëtarës do të luftojë për ta konfirmuar fanellën e titullarit me mbrojtësin nigerian 25 vjeçar, Aina, si dhe me Ansaldi, që është gjithmonë aty i gatshëm ta rifitojë besimin, i cili i është komprometuar falë lëndimeve të shpeshta.

Pra, hierarkia te Torino për Vojvodën është në ripërcaktim dhe ritestim pas plot 3 muajsh. Kjo vjen pas një serie rezultatesh jo shumë të mira që po arkëton ekipi “granata”. 

Mërgimi gjatë dimrit doli nga opcioni i tretë, në të parin, duke përfituar nga gabimet trashanike të Aina dhe lëndimet e Ansaldi. Tani, pritet ta demonstrojë nëse mund ta përsërisë të njëjtën sërish, duke fituar konkurrencën me lojtarët në fjalë. 

Diçka e tillë do të ishte një ogur i mirë edhe për kombëtarën e Kosovës, e cila para miqësoreve të këtij muaji (më 25 mars ndaj Burkina Faso në Prishtinë dhe më 29 mars ndaj Zvicrës në Zurich) dhe nisjes së kualifikimeve për Ligën e Kombëve në qershor, mund të vazhdojë të llogarisë në Mërgim Vojvodën, në përgatitjen më të mirë fizike dhe taktike, që ia mundëson aktivizimi i tij titullar në Torino, nën urdhrat e një trajneri si ai kroat që aplikon futboll sulmues, agresiv dhe shumë kërkues.

Me afrimin e grumbullimit të parë të Kosovës me përzgjedhësin e ri francez, Alain Giresse, mbetet për t’u parë se çfarë pozite do t’i besohet Vojvodës. Sa për mbamendje, kujtojmë që mbrojtësi i Torino me Challandes ka luajtur në tri pozita, por kryesisht si mbrojtës i djathtë, duke u alternuar me Hadërgjonajn. Përjashtim bëjnë ndeshjet si miqësorja ndaj San Marinos (më 1 qershor, 2021), si dhe ndeshja kualifikuese ndaj Spanjës në Prishtinë (më 8 shtator, 2021) – ku u aktivizua si mbrojtës i krahut të majtë. 
Mirëpo, edhe ndeshja ndaj Greqisë e edicionit paraprak kualifikues për Ligën e Kombeve (më datë 14 tetor, të vitit 2019), vuri në dukje atë në një rol tjetër, kur në Athinë luante në vendosjen me 3 në mbrojtje, si mbrojtës i tërhjekur në vijën e fundit të fushës. Një rol me të cilin është rritur si kadet në Standard Liege, para se të përfundonte në krah të mbrojtjes. 

TË FUNDIT NGA FUTBOLLI VENDOR /

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Të fundit /

Recent Comments