Thursday, May 26, 2022
HomeFUTBOLLI VENDORKosova në bisedime me portierin e Bundesligës

Kosova në bisedime me portierin e Bundesligës

Portieri Diant Ramaj bëri një hap të madh në karrierë të dielën. Debutoi me Eintracht Frankfurtin në Bundesligën e Gjermanisë. Paraqitja e tij e parë në elitën e futbollit gjerman u vlerësua lart te Eintrachti. Mori vlerësime shumë pozitive edhe nga mediume të ndryshme në Gjermani, shtet të cilin e përfaqëson. Portieri me prejardhje nga Gjakova është portier i ekipit U-20 të Gjermanisë, por është vëllai i Diantit 20-vjeçar, Dijoni, që të hënën për KOHËN ka konfirmuar se janë në kontakt me Përfaqësuesen e Kosovës.

“Po kemi kontakt me Kosovën”, ka thënë Dijoni 23-vjeçar për KOHËN.

Edhe drejtori i Përfaqësueses, Muharrem Sahiti, ka konfirmuar bisedimet që kanë me familjen Ramaj.

“Kemi biseduar dhe ka mbetur që të takohemi me familjen e Diantit. Kontaktet i kemi pasur shumë më herët, jo tani që ka debutuar. Por, ende nuk ka asgjë konkrete rreth të ardhmes së tij”, ka thënë Sahiti.

Ndërkohë, Dijoni thotë se nuk kanë marrë ende një vendim.

“Nuk ka vendim ende, por në kontakt jemi”, është shprehur Ramaj, që aktualisht është pa skuadër.

Diant Ramaj për U-20 të Gjermanisë nga viti 2020 i ka luajtur tri ndeshje, ndërsa pesë ndeshje ka zhvilluar edhe për U-19 të Gjermanisë. Dy paraqitje i ka edhe tek ekipi U-18. Por, gjasat që ai të ftohet edhe tek U-21 e Gjermanisë për të ardhmen janë të mëdha pas paraqitjes pozitive që pati të dielën në barazimin 1:1 kundër Augsburgut. Ramaj u paraqit nga minuta e parë në vend të portierit të parë Kevin Trapp.

Portieri 189 centimetra i gjatë, më 10 maj të vitit të kaluar, nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale me skuadrën e Eintracht Frankfurtit. Ai nënshkroi kontratë trevjeçare.

Më 8 gusht ai për herë të parë u ftua në ekipin e parë, ndërsa vetëm të dielën debutoi për skuadrën nga Frankfurti.

Ramaj karrierën e ka nisur te të rinjtë e një klubi të vogël gjerman. Për të rinjtë luajti edhe te Stuttgarti, Stuttgarter Kickersi dhe Heidenheimi. Për këtë të fundit luajti edhe në ekipin e parë, para se vitin e kaluar t’i bashkohet Eintracht Frankfurtit.

Pas ndeshjes ndaj Augsburgut, vlerësime pozitive, portieri kosovar mori nga trajneri i Eintracht Frankfurtit, Oliver Glasner, si dhe trajneri i portierëve Jan Zimmermann e drejtori sportiv Markus Krosche.

“Jam pak i trishtuar që nuk fituam, gjë që mund ta kishim bërë. Nga ana tjetër, kishim një paraqitje të madhe nga Diant Ramaj. Ajo që më gëzon shumë është paraqitja e Diant Ramajt, i cili ishte i shkëlqyer”, ka thënë trajneri Glasner për faqen zyrtare të klubit gjerman.

Ramaj pësoi një gol, madje në krahun e tij. Por paraqitja e kosovarit të ri ishte mbresëlënëse. Ai në disa raste arriti të presë gjuajtjet e kundërshtarëve, ndërsa në disa situata tregoi vendosmëri dhe guxim. Për guximin e shfaqur mori lëvdata edhe nga trajneri i portierëve, Jan Zimmermann.

Ndërkohë, drejtori sportiv, Markus Krosche, tha se Ramaj ka shfaqur guxim të madh në ndeshjen e tij të parë në Bundesligë.

TË FUNDIT NGA FUTBOLLI VENDOR /

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Të fundit /

Recent Comments