Monday, January 17, 2022
HomeFUTBOLLI NDËRKOMBËTARBenzema: Futbolli i sotëm nuk më pëlqen!

Benzema: Futbolli i sotëm nuk më pëlqen!

Karim Benzema është lojtari më i mirë francez i vitit 2021 sipas “France Football”. Sulmuesi i Realit të Madridit, që u rendit përpara Kylian Mbappé, po përjeton një moment të artë dhe sezonin e kaluar ka shënuar 47 gola mes klubit dhe kombëtares.

Është hera e katërt në karrierë që sulmuesi fiton këtë trofe, pasi sukeseve në vitet 2011, 2012 dhe 2014. Në intervistën e dhënë për “France Football”, Benzema tregon lumturinë dhe mënyrën si e sheh futbollin.

“Jam bërë numri 9-të që doja të isha. Po jetoj një ëndërr, që më pëlqen. Përveç statistikave, nuk e kuptoj se çfarë ka ndryshuar në futbollin që luaj. Jam po i njëjti lojtar. Ka ndryshuar mënyra se si shihet futbolli, njerëzit nuk e ndjekin sfidën për 90 minuta. Janë rrjetet sociale, e ndjek takimin nga telefoni, sheh kush ka shënuar. Nuk shqetësohet më njeri se çfarë po bën një lojtar në fushë, por vetëm kush ka shënuar.

Dhe ditën tjetër e konsiderojnë më të mirin. Më ka ndodhur edhe mua, nuk kam zhvilluar një ndeshje të mirë, shënoj dhe më vlerësojnë si më të fortë. Nuk më pëlqen shumë ky futboll, por në të ardhmen do të bëhet edhe më keq.

Më pëlqen futbolli që luhet shpejt, me një takim, me pasime. Pason për një shok, ai ta kthen topin dhe ti sheh se je para portierit, bën një finte dhe pason për shokun në krah. Ky është futbolli që dua. Loja duhet të jetë si një Ferrari, e bukur dhe elegante”, ka thënë sulmuesi francez.

Vinicius Junior- “Kur flasim për Vinicius, të gjithë kujtojnë shprehjen time në fushë (i tha Mendy: mos i paso topin, se po luan kundër nesh). Ai nuk është më i njëjti lojtar. Po bën atë që duhet të bënte shumë kohë më parë dhe nuk mund ti thuash asgjë.

Është një lojtar i ri, shumë i talentuar. E dija që mund të jepte më shumë. Me dy fjalë, me dy lëvizje në fushë, i kam mësuar gjëra që i shërbejnë, veçanërisht në 20 metrat e fundit. Duhet ta marrë vetë vendimin: të gjuajë apo të pasojë. Sot Vinicius i bën të gjitha këto”.

Cristiano Ronaldo- “Është e thjeshtë. Kur luante te Reali i Madridit shënonte 50 ose 60 gola në vit. Duhet të përshtatesh me këtë realitet. Duhej të lëvizja më shumë në fushë, t’i krijoja hapësira, sepse ishte më i dhënë për golat se unë. Unë ndihmoja atë dhe ai më ndihmonte mua. Kur iku, ndryshoi situata dhe më duhej të rrija në zonë, të bëja gola dhe të jepja asiste për shokët e skuadrës”.

Benzema tregon se kush kanë qene idhujt e tij: “Jam rritur duke parë Fenomenin (Ronaldo brazilianin) dhe ai mund të bënte gjithçka. Tek Zidane më pëlqente kontrolli i topit, pastaj ai dinte të jepte gjithmonë pasimin e saktë”.

Sfida me PSG në Champions League – “Nëse do të shkosh deri në fund, duhet të mundësh të gjitha skuadrat. Do të na pëlqente një short tjetër, kjo është e sigurtë. PSG është një nga favoritet, por nuk kemi frikë. Duam të kualifikohemi, duam të fitojmë trofeun”, ka përfunduar Benzema.

TË FUNDIT NGA FUTBOLLI VENDOR /

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Të fundit /

Recent Comments