Friday, January 28, 2022
HomeKRYESOREMajlindës i ndahet urdhri “Shote Galica”

Majlindës i ndahet urdhri “Shote Galica”

Ikonës së sportit të Kosovës, Majlinda Kelmendit, i është ndarë urdhri “Shote Galica” nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të mbajtur sonte. 

“Ajo me të drejtë cilësohet si legjendë e sportit të xhudos. Me të drejtë konsiderohet heroinë e Kosovës. Me tri dekada të jetës së saj, Majlinda u bë fytyra e Kosovës së sotme, që e bëri shtetin tonë të tillë çfare e duam. Flamuri kaltër e verdhë valojë majave karshi flamujve të shteteve më të mëdha anekënd globit fal Majlindës”, ka thënë Osmani. 

Osmani ka thënë se Majlinda me forcën e pathyeshme e me sukseset e njëpasnjëshme ishte dhe vazhdon të jetë frymëzim për vajzat e Kosovës dhe përtej Kosovës.

“Majlinda Kelmendi është më shumë sesa çmimet që fitoi. Pa Majlindën e guximin e saj për pushtimin e horizonteve të reja, pa modelin që ua dha të rinjve tanë, nuk do të kishim sot Distrian, Norën dhe shumë vajza tjera”, ka thënë Osmani.

Majlinda po pensionohet me një ceremoni shtetërore, ndonëse ajo i ka dhënë fund karrierës si xhudistë aktive pas Lojërave Olimpike “Tokio 2020”. 

Kelmendi ka fituar në sportin e xhudos çdo gjë që mund të fitohet, përfshirë të artën olimpike në Rio, dy të arta botërore e katër evropiane.

Ajo është tërhequr nga sporti i xhudos pas Lojërave Olimpike në Tokio këtë vit ku u eliminua në rrethin e parë. Kelmendi karrierën do ta vazhdojë si trajnere. 

“Nuk u josh nga ofertat e majme të shteteve tjera, por i qëndroi besnike ngjyrave të shtetit të Kosovës. Natyrisht, nën drejtimin e një trajneri si Toni Kuka dhe kryetarit Agron Kuka. Toni është njeriu që xhudon e ka bërë pasion tek vajzat dhe të rinjtë. Toni dhe Agron, faleminderit që na keni lartësuar si shtet dhe na keni bërë krenar përkrah shteteve më të fuqishme sportive. Njeriu që bëri shumë për xhudon e Kosovës dhe Majlindën, është Marius Vizer dhe me të drejtë rruga drejt qendrës nacionale të xhudos e mban emrin e tij. Vizer, Kosova do të jetë falënderuese përgjithmonë. Jemi këto për ta hapur një kapitull të ri për Majlindën. Siç ishte e suksesshme si sportiste, Majlinda do të vazhdojë si trajnere ku nuk do t’i mungojnë sukseset. Nuk ka se si ta përmbyllë ndryshe karrierën me një dekoratë që e mbanë emrin sikur heroina jonë Shote Galica me pushkë, Majlinda në arenën sportive mbajti me dinjitet ngjyrat e shtetit tonë dhe ngriti lart flamurin e Kosovës”, tha Osmani.

E presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), Marius Vizer, në një video-mesazh ka thënë se janë krenar me arritjet e Majlindës dhe i ka uruar sukses asaj.

“Është rast i madh për të përgëzuar Majlinda Kelmendin për të arriturat e saj në karrierë. Jemi krenarë për arritjet e saj dhe përmirësimin e rezultateve të Federatës së Xhudos dhe të gjithë njerëzve përreth Federatës së xhudos. I dëshiroj suksese dhe e falënderoj për zhvillimin e xhudos në Kosovë”, tha Vizer.

Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, ka thënë se Majlinda e ka drejtuar Kosovën drejt triumfeve edhe në shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Nuk po më besohet se kaluan 20 vjet, 20 vjet karrierë sportive, punë, djersë, sakrificë. 20 vjet pa pushuar. Je ti Majlinda që gjatë këtyre viteve na drejtove drejt triumfit të Kosovës edhe në shtetet që nuk na njihnin. Ti jo vetëm që e bëre krenar shtetin tënd, por edhe u bëre udhërrëfyese edhe për kampionet tjera. Uroj dhe besoj se puna jote në profesionin tënd të ri, do t’i sjellë Kosovës suksese me gjenerata të reja”, ka thënë Kuka.

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, është emocionuar në fjalimin e tij. Ai e ka falënderuar Majlindën dhe ka thënë se do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës. Ndërsa ka thënë se uron që të shkëlqejë në detyra të reja. Kuka ka treguar se kishte shpresuar se Majlinda do ta vazhdonte karrierën si xhudiste.

“Po e flas një detaj të rëndësishëm për ndjenjat e një trajneri kur është përballë përmbylljes së karrierës së një sportisteje si Majlinda. U nisëm drejt Tokios për Lojërat Olimpike më herët për të pasur aklimatizimin me kushtet e Japonisë dhe të adaptohemi me kohën për të pasur performancë të mirë. Pos stresit si trajner prej pesë atuve për medalje olimpike, ngarkesa që Majlinda do ta lë xhudon ka qenë e jashtëzakonshme për mua, më tepër se ngarkesa e garës. Faktikisht është dashur të mbajë veten time dhe të mos reflektojë, sepse këtë e shohin garuesit, e sidomos Majlinda. E ngushëlloja veten duke thënë se Majlinda do ta vazhdojë karrierë. Ajo sigurisht se do ta vazhdonte karrierë, por ka pasur lëndime të mëdha, dhimbje, lot e gjak, që edhe unë i kam përjetuar rëndë, Por në tatami, Majlinda i ka arritur të gjitha që mund të arrihen edhe tri herë është shpallur zyrtarisht xhudistja më e mirë në rruzull tokësor”, ka thënë Kuka. “Për Majlindën mundem me fol me vite, por nuk dua të zgjati shumë. Vetëm dua ta falënderoj dhe t’i them se jam mirënjohës përgjithmonë. Dashtë Zoti që tani të shkëlqesh në detyrë të re edhe pse unë si trajnerë. Besoj se së bashku do të shkëlqejmë edhe më tej”.

E kampionia olimpike Majlinda Kelmendi në fjalimin e saj ka falënderuar familjen e saj, familjen Kuka për mbështetjen, ndërsa ka treguar se motivi më i madh për të ka qenë populli i Kosovës. Në fjalimin e saj Kelmendi ka treguar hapat se nisi karrierën, ndërsa ka treguar për lidhjen e fortë me trajnerin Driton Kuka.

“Ka kohë që kam filluar ta shkruaj këtë letër dhe mendoja thjeshtë të dilja këtu e të thoja faleminderit e të ulesha. Nuk disa ku me nisë. Ka shumë njerëz që duhet të falënderoj. Të bëjë një prezantim të shkurtër të rrugëtimit të mrekullueshëm 20-vjeçar. Kam lindur në vitin 1991 në Pejë, në një familje 6-anëtarëshe, e cila më ka nderuar me prezencën këtu. Është hera e parë që familja ime është me mua këtu. Më kanë kritikuar ndoshta njerëzit se nuk po e përmendi shpesh familjen dhe nuk po i falënderoj. E dimë sa duhemi dhe se kam pasur të arsyeshme të falënderoj sa herë që dal në intervista. Këtu janë babi, mami, vëllai i madh dhe dy motrat. Modestinë e kam trashëguar nga babai, egon e shpirtin luftarak nga nëna, është grua por ka burrni sa shtatë burra, i them unë. Butësinë e qetësinë prej vëllait, e kam një vëlla, ndërsa motra e madhe Adelina më ka rritur. Prindërit punonin dhe pas një kohe e kam thirrur Adelinën mam dhe nuk e kam dashur nënën. Me motrën e dytë Kaltrinën ka nisur gjithçka. Në vitin 2000 ka filluar me ushtru dhe më ka detyruar me ushtru. Nuk kam guxuar me kundërshtu shumë. Është vetëm një vjetmë e madhe se unë, por sot i mbaj mend shuplakat e saj. Është dashur të marrë çantën e të ushtroj xhudo. E Kaltrina sot thotë se je kush je fal meje, se të kam quar me ushtru xhudo, ka të drejtë këtu”, tha Kelmendi. “Personi tjetër që është i veçantë për mua e s’kishte mundësi të vijë, është gjyshja ime. Është engjëlli im mbrojtës, e di kudo që shkoj ajo lutet për mua krejt kohën, në raste më shumë se mami im. Shpesh e ngacmoj e pyes pse prej gjithë nipave vetëm unë të kam ngjarë, pasi jam e shkurtër krejt tjerë të gjatë. Përgjigjen e saj nuk do ta harrojë tërë jetën, thotë edhe diamanti është shumë i vogël, por shumë i shtrenjtë”.

Për familjen Kuka dhe trajnerin Driton Kuka, ajo ka shtuar se i është falënderuese gjithë jetën.

“Shumë njerëz nuk e kuptojnë pse Toni është i lidhur aq emocionalisht me mua dhe karrierën time. Kam filluar me ushtru xhudo si 8-vjeçare dhe prej fillimit deri sot Toni ka qenë trajneri im. Jam rritur me Tonin si garuese e Toni është rritur me mua si trajner. Për shumë vite kemi qenë unë dhe ai kundër krejt botës dhe i kemi treguar se sa shumë vlera kemi ne populli i Kosovës. Kur Toni filloi të fliste për mua kur isha 15-vjeçare, të fliste për medalje olimpike, shumë e quanin të çmendur se po sheh ëndrra me sy qel. Sot ai është trajneri më i mirë në botë me tri medalje të arta olimpike nga një shtet i vogël si Kosova. Derisa unë jam bërë kampione botërore, ka qenë Toni dhe bashkë me familjen Kuka, Sylën e Agronin, që i kanë paguar gjitha shpenzimet për garat e përgatitjet, jo vetëm për mua por gjithë ekipin. Nuk e di a mund ndonjëherë të jua kthej këtë të mirë. Për mua personalisht mendoj se keni bërë ndoshta edhe më shumë se vet familje ime. Faleminderit familja Kuka dhe Zoti ju ruajt e ju bekoftë. Për Tonin nuk mjafton të flas as ditë, as muaj e as vite. Vetëm dua t’i them faleminderit dhe jam e bekuar se që Zoti të ka quar te unë apo mua tek ti. Do të jem mirënjohëse derisa të vdes, do të mundohem të bëjë më të mirën prej vetes që të bëjë krenar derisa të gjem gjallë”, tha Kelmendi.

Ajo ka falënderuar edhe ekipin e xhudos, ndërsa ka thënë se pa ta nuk do të arrinte ku është sot, ndërsa u ka kërkuar falje nëse ndonjëherë ka qenë e padrejtë dhe e ashpër. Ajo ka falënderuar veçanërisht Distria Krasniqin, të cilën e ka pasur sparring partnere për shumë vjet.

“Falënderimi special shkon për Disin, kemi qenë sparring partnere për 13 apo 14 vjet. Ka mjaftuar me zgjatë njërën dorë dhe ajo e ka ditur se çfarë dua të ushtroj e punoj. Ka qenë sparrinet partnerja ime dhe tash është kampione aktuale olimpike e realisht për mua aktualisht xhudistja më e mirë në botë”, ka thënë Kelmendi.

Ajo ka thënë se ka qenë privilegj i madh ta përfaqësojë Kosovën.

“Falënderim shumë i madh nga zemra shkon për vendin tim, për popullin tim që më ka përkrahur gjithmonë pa kusht. E di se unë jam për ju heroinë, e di se më krahasoni me Nënë Terezën apo Adem Jasharin, por besoni motivi më i madh për të arritur këtu jeni ju. Kam punuar gjithmonë 200 për qind, e kam dhënë më shumë se maksimumin prej vetes, mos me ju zhgënjy e me ju bë krenar. Shpresoj shumë se ia kam arritur. Shpresoj shumë se ju kam bërë krenar, ju kam sjellë lot gëzimi e në momente të caktuara edhe lot hidhërimi. Ishte nder, krenari e privilegj shumë i madh për mua të ju përfaqësoj ju populli im. Jam mirënjohëse deri në frymën time të fundit dhe jua dua pa fund”, ka thënë Kelmendi.

TË FUNDIT NGA FUTBOLLI VENDOR /

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Të fundit /

Recent Comments