Monday, January 17, 2022
HomeFUTBOLLI VENDORBatatina zbulon shifrat se sa kushtoi renovimi i stadiumit “Zahir Pajaziti” dhe...

Batatina zbulon shifrat se sa kushtoi renovimi i stadiumit “Zahir Pajaziti” dhe paralajmëron rivalët e Superligës

Punimet janë drejt përfundimit dhe stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë tashmë ka një pamje të re. Nga pranvera e ardhshme skuadra e Llapit do t’i zhvillojë ndeshjet në shtëpinë e saj të rinovuar dhe kjo ka bërë që entuziazmi të jetë i madh duke filluar që nga trajneri i skuadrës Tahir Batatina. I pari i skuadrës nga Podujeva ka zbuluar detaje të shumta nga projekti që po realizohet. Ai në një intervistë për KosovaPress ka zbuluar se shifra e investuar në këtë stadium kap shifrën prej 430 mijë euro.

Ky investim sipas Batatinës është bërë në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, derisa potencon se ka munguar përkrahja e Kuvendit Komunal të Podujevës, por kjo nuk ka qenë pengesë që puna e bërë të jetë sipas standardeve evropiane.

“Nuk ka qenë e lehtë, ka qenë shumë e vështirë me vetë faktin që kryesia ishte në vazhdën e transferimeve të skuadrës, ishte fillimi i sezonës, pastaj edhe angazhimit te fusha sportive. Mendoj që nuk ka qenë e lehtë por vullneti i madh bashkë me federatën, federata na ka ndihmuar me një pjesë, me një vlerë prej 130 mijë euro që na i ka dhuruar, na ka premtuar që ditëve në vijim do të iu ndihmojmë edhe me një shumë me vet faktin që federata e ka parë që këtu është një investim shumë i madh. 430 mijë euro është vlera totale e stadionit që janë futur në stadion komplet…Nuk kemi marrë asnjë mbështetje nga Kuvendi Komunal i Podujevës. Kemi bërë kërkesë por kanë gjetur arsyetime se nuk kanë planifikuar buxhet…Është dashur me mjete vetaneke, do të thotë 300 mijë euro në këto kushte pandemie një kryesi t’i jap për një stadion nuk ka qenë e lehtë për ne”, tha Batatina.

Pikërisht mungesa e një stadiumi të tillë trajneri i Llapit thotë qe ka qenë arsyeja kryesore pse skuadra e tij pati një fillim të dobët të sezonit. Madje, ai garanton se po ta kishin një teren të tillë që nga fillimi i sezonit, Llapi do të ishte në krye të Superligës së Kosovës.

“Unë si trajner filozofinë time e kam ndryshe të lojës. Aplikojë një lojë ndoshta më ndryshe se shumë skuadra të tjera, mundohem ta bëjë një futboll më bashkëkohor me pasime të shkurtra, me aksione të rrjedhshme për të ardhur deri te finalizimi….Në fillim na ka penalizuar shumë fusha ku në Merdarë nuk kemi mundur ta aplikojmë lojën tonë çfarë ne e aplikojmë dhe mendoj që kjo ka ndikuar negativisht…Llapin e ka penalizuar shumë fusha dhe të them të drejtën po të ishim në këtë teren do të ishim në pozitën e parë dhe garantojë për këtë…Një prej objektivave të mia kryesore është që ta shkruaj prapë historinë me Llapin në këtë kampionat, në këtë stadion ta luaj edhe ndeshjen ndërkombëtare”, theksoi më tutje Batatina.

Gjithsesi, ky fillim i dobët i sezonit nuk e ka zmbrapsur aspak Llapin nga objektivi për të luftuar për titullin kampion. Batatina thotë se ka besim të madh te skuadra që ka në dispozicion dhe cilësitë individuale të lojtarëve që janë të gatshëm për të dhënë maksimumin dhe për ta bërë krenar qytetin e tyre.

“Asnjëherë, edhe kur i kam pasur dy pikë, edhe tri pikë kam thënë që Llapi do të rikthehet dhe do të luftojë për titull kampioni dhe Llapi nuk ikën nga ai synim….Mendoj që në këtë kampionat me cilësinë që kam brenda skuadrës, me bagazhin e lojtarëve, me numrin e lojtarëve mendoj që do të rikthehemi fuqishëm të luftojmë për kreun e tabelës.”, shprehet i bindur Batatina.

Përkundër investimeve të mëdha në stadium, Batatina flet edhe për merkaton e janarit. Ai thotë për KosovaPress se klubi nuk ka probleme financiare dhe se nëse paraqitet nevoja janë të gatshëm të investojnë edhe në lojtarë të rinj.

“Sa i përket skuadrës së Llapit mendoj që Llapi ka buxhet për të sjellë edhe ndonjë lojtarë. Nuk ka nevojë ndoshta për lojtarë sepse unë mendoj që kamë një skuadër që Llapit nuk i nevojiten lojtarë të tjerë në skuadër. Mund ta ketë një transferim më së shumti në skuadër por jo më shumë…Kjo më bënë që të mos mendojmë shumë për transfere por mund të ndodhë që do ta kemi ndonjë transfer, nuk e kemi problemin e çështjes financiare”, tha Batatina.

Tahir Batatina ka paralajmëruar gjithashtu klubet rivale të Superligës se stadiumi “Zahir Pajaziti” në vazhdim të kampionatit do të jetë shumë i nxehtë dhe i vështirë për të gjitha skuadrat duke premtuar që tribunat do të jenë të stërbushura në çdo ndeshje.

TË FUNDIT NGA FUTBOLLI VENDOR /

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Të fundit /

Recent Comments