Sunday, January 16, 2022
HomeFUTBOLLI VENDORLlapi nuk do të luajë në "Zahir Pajaziti" deri në pranverë

Llapi nuk do të luajë në “Zahir Pajaziti” deri në pranverë

  • Llapi është këndellur në tri xhirot e fundit të Superligës së Kosovës në futboll dhe është prej ekipeve me formën më të mirë aktualisht.

Skuadra nga Podujeva ka tri fitore në po aq ndeshje, një si vendëse dhe dy si mysafire. Janë tri fitoret e vetme të Llapit këtë edicion.

Starti ishte shumë i keq për llapjanët, që nuk kishin fitore në shtatë xhirot e para.

Llapi tashmë është ekipi i vetëm në Superligë që ndeshjet si vendës nuk i luan në stadiumin e tij. Si nikoqir, ndeshjet i zhvillon në stadiumin e Merdarit, pasi në arenën “Zahir Pajaziti” në Podujevë është punuar në fushë. Në fakt është larguar bari artificial dhe është mbjellë bari natyral.

Trajneri Tahir Batatina ka treguar për Kohën se Llapi nuk do të mund të luajë në “Zahir Pajaziti” deri në stinorin pranveror, pra deri në vitin e ardhshëm. “Shtëpia” e llapjanëve do të jetë ende stadiumi shumë i kritikuar në Merdar. Më herët Batatina kishte deklaruar se pas gjashtë-shtatë xhirove në vjeshtë, Llapi do të kthehej në stadiumin e vet. Por kjo, megjithatë, nuk do të ndodhë.

Batatina tani thekson se nuk është i interesuar që ta rrezikojë investimin prej gjysmë milioni euro.

“Në këtë stinor nuk do të luajmë si vendës në stadiumin ’Zahir Pajaziti’ në Podujevë. Fusha është duke u përgatitur dhe nuk do ta rrezikojmë investimin e madh që është bërë. Nuk dëshirojmë ta dëmtojmë fushën pa qenë gati 100 për qind për ndeshje. Llapi do të luajë në ‘Zahir Pajaziti’ në stinorin pranveror”, u shpreh Batatina.

“Investimi në fushën e stadiumit ka kushtuar rreth 500 mijë euro. Kemi të bëjmë me një investim të mrekullueshëm, por edhe të kushtueshëm, edhe për ne si familje dhe si kryesi. Të investosh në skuadër dhe në stadium, deri me tani një gjë të tillë nuk e ka bërë asnjë kryesi e klubeve në Kosovë. Kemi pasur mbështetje solide edhe nga Federata e Futbollit e Kosovës, por kemi premtime se do të kemi sërish mbështetje, sepse kemi të bëjmë me një fushë evropiane”.

Batatina insiston sërish se fusha e stadiumit në Podujevë do të jetë më modernia në Kosovë.

“Fusha apo tapeti, është nivel më i lartë sesa i stadiumit ‘Fadil Vokrri’. Mund të them lirisht se është nivel i stadiumeve të Beshiktashit, Galatasarayt e Fenerbahçes. Mendoj që stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ mund ta përdorë edhe Kosova për ndeshje miqësore, por edhe Kosova U21, U19”.

Për rezultatet negative në shtatë xhirot e para, Batatina “fajëson” pikërisht stadiumin.

“Penalizimi më i madh për ne deri më tani ka qenë se nuk kemi luajtur në ‘Zahir Pajaziti’. Këtë e kanë kuptuar të gjithë, sepse po të luanim në stadiumin tonë, tani do të flisnim se kush do ta zërë vendin e dytë, e jo kush është i pari”, deklaroi trajneri i llapjanëve.

Batatina flet edhe për formën e mirë që Llapi po e kalon në tri ndeshjet e fundit.

“Nuk jam dorëzuar asnjëherë që nga dita e parë kur jam emëruar në krye të Llapit. Dorëzimin nuk e kam në shpirt. Si personalitet e kam mbajtur lart skuadrën, e kam motivuar edhe kur nuk kemi pasur rezultate. Menaxheri vlerësohet kur nuk ka rezultate në periudhë të caktuar dhe ia del që ta mbajë grupin të motivuar. Lehtë është të flasësh kur ke suksese. Lojtarëve u kam thënë se kam besim shumë tek ju, te cilësia dhe kualiteti i grupit. U kam thënë që shumë shpejt do të jemi në krye të tabelës dhe jemi duke ecur në atë drejtim”, mburret Batatina.

Ai insiston se Llapi do të luftojë edhe këtë edicion për trofe dhe dalje në Evropë.

“Llapi gjithmonë ka luftuar për trofe dhe nuk lëviz nga ky qëllim. Kemi fond të mjaftueshëm të lojtarëve dhe shumë cilësi që të ndjekim titullin e kampionit. Këtë sezon e kam ekipin më të mirë dhe më cilësor prej që e kam marrë drejtimin e Llapit. Përveçqë kemi cilësi dhe një grup të djemve shumë të mirë, ndihem i lumtur që kam edhe atmosferën më të mirë, që nuk e ka asnjë ekip i Superligës. Unë u jap hapësirë talenteve të rinj dhe Llapi është i mbushur me talente”.

Llapi renditet në pozitën e shtatë me 12 pikë.

TË FUNDIT NGA FUTBOLLI VENDOR /

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Të fundit /

Recent Comments