No menu items!
Ballina KRYESORE U mbajt Kuvendi i Rregullt i Punës i FFK-së

U mbajt Kuvendi i Rregullt i Punës i FFK-së

Federata e Futbollit e Kosovës e ka mbajtur Kuvendin e Rregullt të Punës për vitin 2020. Për shkak të masave të reja të Qeverisë në luftën antiCovid-19, punimet e këtij kuvendi u mbajtën për herë të parë në formatin online dhe gjithçka funksionoi në mënyrën më të mirë. Pjesëmarrës në Kuvend ishin 55 delegatë.

Të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti presidenti i FSHF-së dhe njëherësh anëtari i KE të UEFA-s, Armand Duka. “Më lejoni fillimisht t’ju përcjell përshëndetjet më të mira në emër të Presidentit tonë, Aleksander Ceferin dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Theodore Theodoridis. Bashkohem me ju në këtë Kuvend jo vetëm si President i FSHF-së dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, por veҫanarisht si një mik i ngushtë i Kosovës, i futbollit të saj, i Agim Ademit e i juaji të nderuar anëtar të Kuvendit të Kosovës”, ka theksuar Duka.

“Ky ka qenë një vit i paprecedent jo vetëm për botën tonë të futbollit por më gjerë, për të gjithë shoqërinë. Kjo situatë e vështirë do të ishte e do te jetë e pamundur të tejkalohet nëse nuk jemi të bashkuar, nëse nuk mbështesim e ndihmojmë njëri-tjetrin. Uroj nga zemra që futbollit sa më parë t’i kthehen spektatorët dhe kam besim se Euro 2020 do të rikthejë jetën. Në këto kohë të vështira, bashkëpunimi me FFK-në nuk ka munguar. Ne jemi më pranë se kurrë ndaj Federatës së Kosovës nëpërmjet zhvillimit të projekteve të ndryshme si programi HatTrick, apo UEFA Grow, të cilët po punojnë aktualisht për ndërtimin e strategjisë për futbollin e Kosovës për vitet në vazhdim. Covid 19 na pengoi në realizimin e një projekti madhor, për të cilin jemi dakorduar, Kupën “Nënë Tereza”, por jam i bindur që ne do ta realizojmë menjëherë pas rikthimit të normalitetit”, ka shtuar Duka.

E të pranishmit i kanë përshëndetur edhe përfaqësuesi i FIFA-s, presidenti i FFMV-së, Muamed Sejdini, sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Ibër Alaj dhe përfaqësuesit e KOK-ut.

Drejtori i Federatave anëtare të Evropës në FIFA, Nodar Akhalkatsi, duke i përshëndetur delegatët e Kuvendit dhe anëtarët e KE të FFK-së shprehu admirimin e FIFA-s për punën e bërë nga FFK në një periudhë kaq të vështirë dhe përgëzojë FFK-në për të gjitha projektet e realizuara në FIFA. “Ne jemi të lumtur që sot jemi pjesë e këtij Kuvendi. Me këtë rast duam të ju përcjellim përshendetjet e ngrohta nga presidenti Gianni Infantino për presidentin Ademi dhe të gjithë ju anëtarë të FFK-së. Duam të theksojmë se gjatë vitit të kaluar kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me FFK-në, sidomos në infrastrukturë, ku janë realizuar projektet përmes programit FIFA Forward. Duam të falënderojmë drejtuesit e FFK-së, z.Ademi e z.Salihu për punën e bërë dhe që gjatë kësaj periudhe i kanë kushtuar vëmendje të madhe edhe futbollit të femrave. Po ashtu, përgëzojmë presidentin Ademi, i cili gjithmonë sjell tek ne projekte jetëgjata, të cilat e kanë në theks të veçantë zhvillimin e futbollit tek të rinjtë, duke ia mundësuar secilit që të ketë mundësi të barabarta për lojën e futbollit”, ka thënë Akhalkatsi. Ndërkaq, në fjalën e tij presidenti i FFMV-së, Muamed Sejdini theksoi se tani të gjithë po jetojmë në kohë të vështira shkaku i pandemisë Covid-19 dhe kjo po e pamundëson të jemi fizikisht bashkë. Por, siç tha, kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi pranë njëri-tjetrit në aspekt moral dhe shpirtëror.

“Ju uroj punë të mbarë në këtë Kuvend të Rregullt të Punës. Le të mbizotërojë arsyeja dhe vendimet konstruktive, në mënyrë që të gjithë ju bashkërisht të ecni përpara me të gjitha projektet që i keni planifikuar dhe tjerat që ju presin në të ardhmen. Në vitet e kaluara keni kaluar sfida të mëdha dhe jam i bindur se futbollin e Kosovës e pret e ardhme edhe më e ndritur. Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut është partner i pandarë i juaji dhe besoj se bashkërisht mund të bëjmë gjëra shumë të mira. Porosia ime është që të qëndroni të bashkuar dhe ta mbështesni njëri-tjetrin për avancimin e këtij sporti. Ju uroj shëndet të gjithëve dhe shpresoj të kthehemi sa më shpejt në jetën normale”, ka theksuar Sejdini.

Ndërkaq, në fjalën e tij presidenti Ademi vuri në pah vështirësitë me të cilat janë ballafaquar klubet dhe të gjithë të përfshirët në futboll gjatë pandemisë, si dhe përkrahjen financiare që ua ka ofruar Federata.

“Do të kisha dëshirë që sot të takoheshim fizikisht, për çka Federata e Futbollit e Kosovës tash e sa kohë i kishte bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e Kuvendit të Rregullt të Punës, por masat e reja të Qeverisë në luftën kundër Covid-19 ndikuan që këtë Kuvend ta mbajmë për herë të parë në formën online. Më lejoni që të falënderoj edhe stafin e FFK-së që brenda dy ditësh arriti që ta përgatisë tërë procesin e këtij Kuvendi online, pasi takimet e këtilla online, tashmë si asnjëherë më parë janë bërë po thuajse të zakonshme jo vetëm tek ne, por në të gjithë globin. Si president i FFK-së së bashku me KE-n gjatë pandemisë kemi qenë vazhdimisht në përkrahje të klubeve dhe të gjithë të përfshirëve në futboll. Nga fondi i federatës krijuam pakon e ndihmës emergjente, derisa klubet i ndihmuam edhe në forma tjera, duke qenë njëra nga federatat me përkrahjen më të madhe për klubet e saja anëtare në këtë situatë pandemie”, theksoi presidenti Ademi.

Tutje ai nënvizoi se përkundër faktit se kaluam nëpër një periudhë shumë të vështirë si pasojë e pandemisë Covid-19, FFK ka arritur që mes shumë peripecive ta rikthejë garën e futbollit dhe ta vazhdojë atë edhe në kushte pandemie.

“Si president i FFK-së, së bashku me Komitetin Ekzekutiv gjatë kësaj periudhe kemi ndërmarrë hapa të guximshëm, të cilët kontribuuan në përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së garave. Formati i ri i garave në liga nga të gjithë ekspertët e analistët u vlerësua si vendimmarrja më e qëlluar e viteve të fundit. Tanimë është rritur organizimi i klubeve, por edhe rivaliteti dhe cilësia e ligave. Gjatë pandemisë kemi qenë vazhdimisht në përkrahje të klubeve dhe të gjithë të përfshirëve në futboll. Nga fondi i federatës krijuam pakon e ndihmës emergjente, derisa klubet i ndihmuam edhe në forma tjera, duke qenë njëra nga federatat me përkrahjen më të madhe për klubet e saja anëtare në këtë situatë pandemie”, ka shtuar Ademi.

Më tej ai foli për takimet dhe vizitat e realizuara edhe gjatë kësaj periudhe , duke filluar nga takimet me presidentët e FIFA-s e UEFA-s, Gianni Infantino e Aleksandër Çeferin, pastaj me kreun e Federatës së Futbollit të Katarit, me miqtë e tij të ngushtë Armand Duka e Muhamed Sejdini, me presidentin e Federatës kroate, Davor Shuker, me presidentin e Federatës italiane, Gabriele Gravina si dhe me homologë nga federatat tjera.

“Gjatë kësaj periudhe të vështirë gjetëm mundësi edhe për punët në infrastrukturë, ku pa dyshim projekti më gjigant është Kampi Edukativ në Hajvali, i cili çdo ditë e më shumë po e merr pamjen e një qendre moderne, por me intensitet të madh po vazhdojnë edhe punimet në Shtëpinë e Futbollit. Gjatë vitit të kaluar kishim edhe momente dhimbjeje, pasi na lanë shumë njerëz që kontribuuan në zhvillimin e futbollit. E sot do të përmend njeriun që kishte guximin ta drejtonte FFK-në në kohën më të vështirë, kryetarin e parë, Agim Bytyqi, por duke përkujtuar gjithmonë me krenari edhe kryetarin Rexhep Abdullahu dhe legjendën Fadil Vokrri”, ka thënë presidenti Ademi.

Ai në fund ka uruar shëndet të mirë për të gjithë dhe sa më parë ta kalojmë pandeminë dhe t’i kthehemi jetës normale.

Më pas Kuvendi ka proceduar me pikat e tjera të rendit të ditës, ku janë pasqyruar Raporti i Punës, Raporti i Garave dhe Raporti Financiar. Delegatët i kanë miratuar procesverbalet e Kuvendit të kaluar si dhe raportet e paraqitura për vitin 2020. Punimet e Kuvendit i kanë ndjekur edhe mediat përmes platformës online në ambientet e stadiumit “Fadil Vokrri”.

Lini një përgjigje

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu

Reklamë
Reklamë

Të fundit

Formacionet zyrtare: Ballkani – Trepça ’89

Gjatë pasditës së sotme zhvillohen edhe pesë ndeshjet e xhiros së parafundit në Superligën e Kosovës në futboll. Një...

Amir Rrahmani fiton penallti, Napoli triumfon dhe bën hap të madh drejt Championsit

Napoli ka marrë fitore shumë të rëndësishme kur kampionati elitar italain po shkon drejt fundit. Skuadra e Gennaro Gattusos...

Tifozët zgjedhin pasardhësin e Zinedine Zidane

Zinedine Zidane do të largohet nga Real Madrid në fundin e sezonit. Trajneri francez, sipas Marca-s, ia ka komunikuar skuadrës vendimin e tij për t’u...

Befasi e trefishtë për Milan-in, ylli injoron PSG dhe zgjedh rivalët

Sot, Milan mund të blindojë matematikisht objektivin Champions League kundër Cagliari-t. Një objektiv i rëndësishëm, me ambicien për kthyer në nivele të larta sezonin e...

Recent Comments