No menu items!
Ballina FUTBOLLI MBARËKOMBËTAR Nga golat ndaj Bayernit, te lidhja me Kosovën – flet Mërgim Berisha

Nga golat ndaj Bayernit, te lidhja me Kosovën – flet Mërgim Berisha

Mërgim Berisha ka shpërthyer këtë edicion. Ndër të tjera, ka realizuar dy gola në Champions ndaj Bayernit. Në ndeshjen e fundit kishte plot katër asistime, ndërsa ndeshjen e ardhshme e luan të enjten dhe e vlerëson shumë të rëndësishme. Berisha është i fokusuar te Salzburgu austriak, ndërsa beson se me Gjermaninë U21 do të ketë suksese në Evropianin e këtij viti. Berisha në një intervistë për KOHËN ka treguar se mban lidhje të forta me Kosovën

Të dielën Mërgim Berisha nuk shënoi gol në fitoren e Red Bull Salzburgut, në derbin më të madh të Austrisë ndaj Rapidit të Vjenës. Por 22-vjeçari, që po kalon formë të lartë, u shqua me diçka tjetër – me asistime. Ai asistoi në të gjithë katër golat e Salzburgut në fitoren 4:2.

Rrallë ndodh që një futbollist të bëjë katër asistime gjatë një ndeshjeje. Rrallë ndodh po ashtu që në vitin e parë të plotë te një skuadër e madhe një lojtar të ketë shkëlqimin e Berishës.

Kosovari më 6 janar të vitit të kaluar ishte kthyer te Salzburgu pas një viti huazim te Altachu. Salzburgu e ktheu para kohës, pasi kontrata e huazimit ishte e vlefshme edhe për gjashtë muaj të tjerë. Dhe vendimi doli plotësisht i drejtë.

Në fillim Berisha nuk luajti shumë. Por në edicionin aktual, 2020/2021 ai po shkëlqen. Edicionin e kaluar ai shënoi shtatë gola për Altachun dhe Salzburgun, pasi shiti disa lojtarë e ktheu në skuadër. Te Salzburgu në pjesën e dytë të edicionit 2019/2020 i luajti vetëm tetë ndeshje kampionale dhe realizoi një gol.

Edicioni aktual dallon shumë prej të kaluarit. Në Bundesligën e Austrisë sulmuesi i qendrës ka tetë gola e gjashtë asistime në 15 paraqitje. Në fazën grupore të Ligës së Kampionëve ka katër gola e dy asistime. Në dy ndeshje për Kupë të Austrisë i ka një gol e dy asistime. Në përgjithësi ka 13 gola e 10 asistime në 26 ndeshje në të gjitha garat. Pra gati në secilën ndeshje ka kontribuar me gol apo asistim. Të dielën, ndonëse nuk shënoi, kishte njërën prej paraqitjeve më të mira.

Në një intervistë për KOHËN, Berisha ka folur për edicionin aktual, për formën që po e kalon dhe shumë gjëra të tjera.

“Ndeshja ndaj Rapidit ishte shumë e rëndësishme. Kemi marrë fitore me peshë dhe besoj që kam luajtur mirë. Është e vërtetë, nuk ndodh shpesh që të bësh katër asistime brenda një ndeshjeje. E kam dhënë më të mirën për ta ndihmuar skuadrën që të fitojë”, ka thënë Mërgim Berisha, të martën për KOHËN.

Shpërblimi për besimin e dhënë

Ndonëse i lindur në Gjermani, Berisha është zhvilluar te Salzburgu si lojtar. Ai kaloi pak kohë te Bischofswiesen në Gjermani, ndërsa prej vitit 2008 është te Salzburgu. Luajti për të rinjtë e kësaj skuadre, ndërsa më pas ishte te Lieferingu, ku Salzburgu i dërgon lojtarët për zhvillim. Në vitin 2017 u kthye te gjiganti austriak. Pasuan periudha huazimi te LASK-u, Magdeburgu dhe tek Altachu. Vetëm në vitin e fundit ai mori besimin e plotë të Salzburgut dhe tani po shpërblen besimin.

“Deri më tani po ecën shumë mirë për mua te Salzburgu. Edhe skuadra po ka suksese. Gjërat po ecin si duhet. Jemi duke luajtur shumë mirë si skuadër, jemi në vend të parë në Bundesligë dhe shpresoj se kështu do të vazhdojmë”, ka theksuar Berisha, që me prejardhje është nga rrethina e Suharekës.

Salzburgu ka gjashtë pikë dallim me Rapidin në krye të kampionatit austriak. Falë përkrahjes nga Red Bulli, Salzburgu është bërë forcë e futbollit. Është i njohur edhe për nxjerrjen e lojtarëve të nivelit të lartë.

Salzburgu këtë edicion është paraqitur në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Ishte në grupin A me Bayernin, Atletico Madridin dhe Lokomotivën e Moskës. Berisha fillimisht kishte dy asistime ndaj Atleticos në Madrid. Më pas shënoi në dy ndeshje rresht nga një gol ndaj Bayernit. Në fund i shënoi edhe dy gola ndaj Lokomotivës së Moskës. Për një sulmues të ri është një bilanc shumë i mirë.

Sidomos golat ndaj Bayernit janë me shumë peshë. Bayerni është fitues aktual i Ligës së Kampionëve, ndërsa ka fituar të gjithë troftë e mundshëm.

“Kam qenë i gëzuar për ata gola”, ka thënë Berisha për realizimet në Champions. “Për emrin tim në futboll ishin gola shumë të rëndësishme. Të shënosh kundër Bayernit nuk është gjë e vogël e po ashtu nuk është e lehtë. Jam ndier shumë mirë për ato gola. Kam shënuar dy herë ndaj Bayernit e po ashtu dy gola ndaj Lokomotivës. Bayerni është klubi numër një në botë. E kam ndier veten shumë mirë që kam shënuar dy herë ndaj këtij klubi. Besoj se më kanë ndihmuar golat që të jem më i njohur në Gjermani, ku luaj për U21. Më duhet të pranoj që e kam ndier veten mirë për ato gola”.

Periudhat e huazimit i kanë shërbyer Mërgimit për rritjen si lojtar. Periudha njëvjeçare te Salzburgu po e dëshmon këtë.

“Ka qenë një vit shumë i mirë për mua te Salzburgu. Pas kthimit nga huazimi, në fillim nuk kam luajtur shumë. Por gradualisht kam fituar më shumë hapësirë dhe jam i kënaqur me kontributin për skuadrën. Tani po luaj rregullisht dhe po mundohem ta ndihmoj ekipin”, thotë Berisha.

Ai ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm.

“Për momentin jam duke menduar vetëm për Salzburgun. Jam i fokusuar se si të luaj këtu dhe nuk po mendoj për ndonjë ekip tjetër. Është shumë me rëndësi që të fitojmë të enjten. Jam i fokusuar 100 për qind te Salzburgu dhe nuk mendoj për ndonjë gjë tjetër. Gjërat tjera i di më mirë menaxheri im”.

Synon suksesin me Gjermaninë U21 në Evropian

Pas eliminimit në Champions, Salzburgu po vazhdon garimin në Ligën e Evropës. Në 1/16 e finales e humbi ndeshjen e parë nga Villarreali me shifrat 2:0. Ndeshja e parë u luajt në Austri, ndërsa e kthimit është të enjten në Spanjë.

“E kemi humbur ndeshjen e parë, por ne besojmë se do të kthehemi. Shkojmë për të kthyer rezultatin. Nuk ka përfunduar ende asgjë. Është luajtur vetëm ndeshja e parë. Besojmë në rikthim, ekipin e kemi shumë të mirë”, thotë Berisha.

Është shpresuar për kohë të gjatë se ai do të vendosë të luajë për Kosovën. Për të ishin opsion edhe Gjermania, Austria e Shqipëria. Berisha deri në vitin 2019 nuk ishte paraqitur për ndonjë përfaqësuese, me gjithë interesimin, ndërsa pranoi ftesën e Gjermanisë U-21. Ai ka një gol të shënuar në shtatë ndeshje.

Është paraqitur në eliminatoret për Evropian që mbahet në mars dhe në qershor.

Prej 24 deri më 30 mars, Gjermania në Hungari i luan ndeshjet e fazës grupore, ndaj Hungarisë, Rumanisë e Holandës. Faza nokaut e Evropianit të Shpresave zhvillohet prej 31 majit deri më 6 qershor, në Hungari e Slloveni.

“Besoj se do të ftohem për Evropian. Po kaloj formë të mirë dhe jam paraqitur mirë. Por lista nuk është publikuar ende. Te Gjermania U-21 kemi ekip shumë të mirë dhe mendoj se kemi gjasa të mira për të fituar titullin e Evropës. Të shohim”, ka theksuar Berisha.

Te Salzburgu nuk kanë dëshirë që Berisha të pyetet për të ardhmen në përfaqësuese. Kanë thënë se ai tashmë është pjesë e U21 të Gjermanisë dhe se të ardhmen askush nuk e di. Berisha deri më tani ka shmangur intervistat për mediat shqiptare. Por është pajtuar të flasë për KOHËN.

Ai ka treguar se me Kosovën i ka lidhjet e forta. Flet rrjedhshëm gjuhën shqipe. E di që jo të gjithë e kuptojnë vendimin e tij që të luajë për U21 të Gjermanisë. Gjermania është prej vendeve me futbollin më të zhvilluar në botë.

“Familjen e ngushtë e kam në Gjermani, por kam shumë familjarë në Kosovë. Unë shkoj rregullisht për pushime në Kosovë, ndonëse pandemia ka ndryshuar gjërat. Shkoj e vizitoj familjen time thuajse çdo verë. Kam dëshirë të vizitoj vendin e prindërve të mi”, ka thënë Mërgim Berisha.

Për të do të dëgjohet edhe më shumë në të ardhmen.

Lini një përgjigje

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu

Reklamë
Reklamë

Të fundit

Chelsea fiton luftën e Championsit, mposht Leicesterin

Chelsea ka shënuar një fitore të madhe duke e mposhtur Leicesterin me rezultat 2:1 në javën e 37-të të Premier League dhe...

Torino e Vojvoda sigurojnë mbijetesën në Serie A, i marrin një pikë Lazios

Torino dhe Mërgim Vojvoda, së paku edhe një vit e kanë siguruar pjesëmarrjen në Serie A. Skuadra torineze sot...

Manchester United gabon me Fulhamin

Manchester United nuk ka shkuar më larg se një barazim 1-1 në shtëpi kundërFulham në javën e parafundit të Premier League.

Zyrtare: Kjo është lista përfundimtare e Francës për Kampionat Evropian

Karim Benzema është përfshirë në ekipin e gjelave këtë verë për Kampionatin Evropian. Franca tashmë ka publikuar listën prej...

Recent Comments