Bernard Berisha e ka pranuar vendimin e trajnerit Bernard Challandes për të mos e ftuar për ndeshjet e tetorit, shkaku i gjestit të bërë pas golit të shënuar ndaj Greqisë.
Lojtari më në formë i Kosovës, që luan me Terek Groznyn e Rusisë, përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, ka kërkuar unitet nga të gjithë për ta përkrahur Kosovën.
“Duke marrë parasysh se këto ditë është folur shumë për çështjen time, pata dëshirë të jap mendimin tim për këtë çështje dhe të sqarohem për gjithçka”, ka thënë Berisha në fillim të mesazhit.
“Unë dhe familja ime jemi mërzitur shumë për mosftesën. Dua të them se e pranoj vendimin e trajnerit, marrë parasysh se kemi një ndeshje shumë të rëndësishme, ndeshja me Maqedoninë e Veriut është historke, prandaj ju bëjë thirrje që ta mbështesim Kosovën dhe vetëm të bashkuar mendoj se do t’ia dalim, të jemi të bashkuar të gjithë dhe vetëm kështu do t’ia dalim”, shtoi Bernardi.
Kosova të enjten luan ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Komeve me Maqedoninë e Veriut.