Kryetrajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani ka mbetur tejet i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij në fitoren kundër Gjilanit, 4:0 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
“Sa i përket angazhimit të futbollistëve të mi është për çdo lavdatë. Kemi patur raste për të shënuar më tepër gola, por gjithsesi kemi mbetur të kënaqur edhe me këtë rezultat, sidomos ndaj një skuadre të fortë si Gjilani, që për të ju thënë të drejtën më ka befasuar jo për të mirë. Ne kemi ende për të punuar që të komponohemi sa më shumë në ndeshjet e radhës, ngase duket se pakkush ka llogaritur te Feronikeli”, deklaroi Tovërlani për Art Motion.