Kryetrajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, ka mbetur i zhgënjyer me paraqitjen e futbollistëve të tij në ndeshjen kundër Feronikelit. Në fakt, nënkampioni pësoi katër gola në ndeshjen e parë të edicionit, gjë e cila i kishte ndodhur edhe edicionin e kaluar në duel me Trepçën’89, kur kishte humbur 4:1.
“Kemi bërë gabime amataroske, jo vetëm që nuk na falen, por ne nuk guxojmë të gabojmë në këtë mënyrë. Kampionati është tejet i gjatë dhe ne nuk guxojmë të gabojmë në këtë mënyrë. Nuk dua të shfajsohem për mungesat që kishim. Lojtarët që janë të gatshëm duhet të japin maksimumin dhe nuk duhet të dalin me këtë paraqitje”, theksoi fillimisht Mezani për “ArtMotion”.
Më pas tekniku i gjilanasve shprehu keqardhjen për tifozët, teksa u premtoi atyre që do të fillojnë të ndryshojnë nga ndeshja e radhës.
“Më vjen keq për tifozët, pasi që duhet t’i gëzonim me një fitore dhe një lojë të bukur. Duhet të kërkojmë ndjesë për këtë paraqitje”, përfundoi Mezani.
Në ndeshjen e radhës Gjilani luan sërish në udhëtim te skuadra e Llapit.