No menu items!
Ballina FUTBOLLI VENDOR Eroll Salihu: 13 shtatori i 1991-s nuk duhet të harrohet kurrë!

Eroll Salihu: 13 shtatori i 1991-s nuk duhet të harrohet kurrë!

Më 13 shtator të vitit 1991, Flamurtari dhe Prishtina zhvilluan ndeshjen hapëse të Kampionatit të parë të Republikës së Kosovës. Kjo ndeshje hyri në analet e historisë së futbollit, ngase shënoi ndarjen përfundimtare të futbollit të Kosovës nga sistemi ish-jugosllav dhe nisjen e një epoke sa të vështirë, po aq të ndritshme për futbollin dhe vetë popullin e Kosovës. Në këtë ndeshje golin e parë e shënoi futbollisti i atëhershëm i Prishtinës, tani sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, duke hyrë kësisoj në histori si golashënuesi i parë i mëvetësimit të futbollit kosovar.

Salihu ka pasur fatin që të jetë protagonist në të gjitha proceset e rëndësishme të futbollit, duke filluar nga braktisja e sistemit ish-jugosllav dhe rrugëtimit të mëvetësimit të futbollit, e deri në përgatitjen e aplikacionit dhe anëtarësimin në UEFA e FIFA.
Ditën kur u zhvillua ndeshja e parë e futbollit të pavarur të Kosovës, Salihu e kujton me nostalgji por edhe me krenari.

“Ajo ndeshje ka qenë një moment historik, të cilin sa herë kthehemi pas dhe e kujtojmë me shokët na bën të emocionohemi. Thjesht futbolli ishte shndërruar në simbol të rezistencës, ngase sporti së bashku me arsimin e shëndetësinë në atë kohë kanë qenë segmentet më të rëndësishme të Republikës së Kosovës në kushtet e okupimit. Përkundër benifiteve të mëdha që kemi pasur si futbollistët në atë periudhë, kemi dalë në mbrojtje të dinjitetit të vendit tonë dhe i kemi thënë ‘Jo’ masave të dhunshme në klube, duke u rreshtuar në krijimin e institucioneve tona të pavarura”, ka thënë Salihu për “Futbolli.info”.

Faktin që emri i tij mbeti në histori si golashënuesi i parë e vlerëson si diçka që ndodhi më shumë si rastësi, pasi i tillë mund të ishte secili prej të gjithë asaj plejade të futbollistëve që nisën rrugëtimin në kampionatin e pavarur të futbollit të Kosovës.

“Si lojtar i Prishtinës, klub i cili ishte simbol i futbollit të Kosovës, e braktisëm të parët sistemin ish-jugosllav, e që më pas na u bashkëngjiten të gjitha klubet e tjera. Në fillim menduam se do të zgjaste shkurtë ajo periudhë, por më pas kaloi pothuajse një dekadë në kushte të tilla. Pra, ka qenë një lëvizje që i ka mbajtur gjallë sportistët në atë periudhë të vështirë. E sa i përket golit natyrisht se ka qenë një ndjenjë e mirë, por që më shumë ishte rastësi, pasi merita për nisjen e futbollit të pavarur kanë të gjithë shokët dhe bashkëlojtarët e mi”, është shprehur tutje Salihu.

Ai shpreson se vitin tjetër kur rrumbullakohen 30 vjet të kësaj ngjarje historike, do të ketë kushte për një organizim madhështor me protagonistë të asaj periudhe. “Sivjet jemi duke u ballafaquar me telashe të mëdha për shkak të Covid-19, por besoj dhe shpresoj se në vitin e 30-të jubilar do ta festojmë në mënyrë madhështore, pasi këtë datë dhe atë gjeneratë futbollistësh nuk duhet ta harrojmë kurrë”, ka nënvizuar Salihu.

Të rikujtojmë se në shënim të kësaj date çdo vit është zhvilluar ndeshja ndërmjet veteranëve të Flamurtarit dhe Prishtinës, por sivjet për shkak të pandemisë një gjë e tillë ishte e pamundur.

Eroll Salihu në periudhën kur futbolli i Kosovës nisi rrugëtimin e pavarur

Lini një përgjigje

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Të fundit

Penza fiton ndaj Prishtinës dhe kalon në finale

Pikët e amerikanës Gabrielle Cooper, me sirenë ia siguroi finalen Penzës në “play-offin” e Superligës për femra. Penza ka...

Dortmundi skuadra e parë në Europë që u jep hapësirë më së shumti të rinjve

Observatori i Futbollit, CIES, ka publikuar ditën e sotme një tjetër studim të kryer prej tyre, ku listojnë klubet më të mira...

Gafa e portierit të Fenerbahçes bëhet “hit” në internet

Gafa e portierit të Fenerbahçes, Atlai Bajindir është duke bërë xhiron e internetit. Gardiani 22-vjeçar, pësoi një gol të çuditshëm në sfidën...

Dardanët e rinj arrijnë në Sofje

Kombëtarja e Kosovës U17 ka arritur në Sofje, ku më 14 dhe 16 prill do t’i luajë dy ndeshje miqësore me Kombëtaren...

Recent Comments