Goli i shënuar kundër Greqisë i dha shpresë ekipit për t’u kthyer në rezultat, por gjesti i tij hasi në polemika të shumta. Megjithatë, presidenti i FFK-së, Agim Ademi thotë se ai episod i shfaqur nga Bernard Berisha tashmë i takon të kaluarës dhe nuk e ka prishur aspak atmosferën në ekipin kombëtar. “Ka pasur shumë fjalë në disa media se ja shpërtheu edhe në Kombëtaren e Kosovës, por asgjë nuk ka ndodhur përveç atij gjesti dhe gjithçka është në aspektin e familjarizmit. Normalisht gjestin e Bernardit e gjykojmë, nuk na ka pëlqyer dhe nuk e kemi pritur prej tij. 2 vjet ka ardhur dhe nuk i ka interesuar asgjë, por thjesht ka qenë i gatshëm të jetë në shërbim të Kombëtares kurdo që vendos trajneri. Ka qenë një gjest që ndoshta nga gëzimi i golit dhe nga mllefi ka dashur të tregoj se po të isha unë do ta kisha bërë edhe ma të mirën e mundshme. Megjithatë, edhe vetë Bernard Berisha në një formë i ka kërkuar falje trajnerit e të gjithë tjerëve dhe gjithçka është sqaruar. Ai është një njeri serioz, i qetë dhe familjar dhe nuk njihet me këto gjeste”, ka thënë Ademi në RTK, transmeton “Futbolli.info”.